Chelsea fiton kundër Crystal Palace në një ndeshje dramatike

  • E.K /
  • 07 korrik 2020 - 21:58
 Chelsea fiton kundër Crystal Palace në një ndeshje dramatike

Chelsea e ka mundur 3:2 Crystal Palacen në një ndeshje dramatike të martën në Londër, e cila ka mundur shumë lehtë të përfundonte me barazim, por shtylla pingule ia mohoi golin Scott Dannit në minutën e 95-të.

Olivier Giroud, Christian Pulisic dhe Tammy Abraham i shënuan golat për Chelsean, të cilat ishin të mjaftueshme për ta mposhtur Palace në Selhurst Park, pavarësisht se ky i fundit s’u dorëzua asnjëherë përmes golave të Wilfried Zaha dhe Christian Benteke.

Chelsea grumbullon 60 pikë tani dhe kalon në pozitën e tretë, duke kaluar mbi Leicester City që i ka 58 pikë, por me një ndeshje në dispozicion sonte kundër Arsenalit.

Për më tepër, të kaltrit e thelluan edhe më tej në krizë skuadrën e Crystal Palace duke ia shkaktuar humbjen e katërt radhazi në ligë, pavarësisht të cilës ajo mbetet e 14-ta në renditje me 42 pikë dhe larg zonës së rënies nga liga.

Takimi, i zotëruar pjesërisht nga djelmoshat e Frank Lampard, nisi furishëm me Giroud që shënoi pas vetëm gjashtë minutave lojë, kur u shërbye nga Willian.

Pulisic e dyfishoi epërsinë e Chelseat me një gol të bukur individual në minutën e 27-të. Asistues sërish ishte anësori brazilian.

Zaha me mbase golin e ndeshjes, e ktheu Palace në lojë, kur e mposhtur Kepan nga rreth 35 metra largësi me një goditje raketë.

I ardhuri nga stoli, Abraham e dyfishoi epërsinë e të kaltërve për herë të dytë në minutën e 71-të.

Një minutë më vonë, Benteke shënoi në portën e hapur duke e kthyer sërish në lojë Palace.

Palace ka mundur të shpëtonte me një pikë nga ky takim, sikur Scott Dann të shënonte në minutën e 95-të. Por goditja e tij me kokë e qëlloi shtyllën pingule.

(Kosova Sot Online)