Guardiola hedh dyshim mbi të ardhmen e Stones

  • A.P /
  • 08 July 2020 - 11:16
Guardiola hedh dyshim mbi të ardhmen e Stones

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, i ka shtuar spekulimet se mbrojtësi anglez John Stones mund të largohet nga Citizens gjatë afatit kalimtar të verës.

Pep Guardiola e ka lavdëruar shpeshherë mbrojtësin John Stones, i cili u transferua në stadiumin Etihad në të njëjtën verë me Guardiolën, në vitin 2016.

Madje, në vitin 2018, Guardiola tha se John Stones do të jetë pjesë e Manchester Cityt për aq kohë sa do të ishte edhe vetë ai, në përgjigje të disa spekulimeve të atëhershme për të ardhmen e futbollistit.

Guardiola dëshiron të vazhdojë të punojë me 26-vjeçarin edhe më tutje, por, pas një tjetër sezoni të dëmtuar nga forma dhe lëndimet e shumta, ai nuk është më po aq i sigurt sa më parë.

“Kam thënë shumë herë dhe vazhdoj ta them këtë, jam më se i kënaqur me John Stones si person, si profesionist… në gjithçka”, ka thënë Guardiola.

“Unë e dua më të mirën për të dhe në fund të sezonit do të flasim për atë që do të ndodhë sepse nganjëherë dëshira ime nuk është e njëjtë me atë të lojtarëve apo me dëshirën për situatën në klub”.

“Jam i sinqertë me lojtarët  dhe për momentin – jo vetëm për John, por për çdo lojtar – mendoj se nëse do të na duhet ndonjë ndryshim, do t’u tregojmë atyre”.


(Kosova Sot Online)