Plisat e kërcënojnë gjyqtarin Vula pas humbjes së Prishtinës: Ne nuk harrojmë

  • E.K /
  • 08 July 2020 - 21:14
 Plisat e kërcënojnë gjyqtarin Vula pas humbjes së Prishtinës: Ne nuk harrojmë

Tifozët ultras të Prishtinës, Plisat, e kanë kërcënuar gjyqtarin Kreshnik Vula, pas humbjes së bardhekaltërve 2:1 kundër Gjilanit të mërkurën, duke e paralajmëruar atë se, siç thonë, Plisat nuk harrojnë.

Prishtina u mund në një ndeshje të tensionuar një pjesë lojë të së cilës e zhvilloi me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit kontrovers të portierit Visar Bekaj, direkt me karton të kuq.

Skuadra e Armend Dallkut lëshoi pikë të rëndësishme ndaj rivalit direkt për titull, në një garë të paparë në futbollin kosovar, duke e regjistruar humbjen e parë që prej rikthimit të futbollit pas pandemisë koronavirus.

Pas ndeshjes në Gjilan, Plisat reaguan në rrjetin soscial Facebook, duke treguar mbështetje për klubit nga kryeqyteti dhe duke e kërcënuar edhe gjyqtarin.

“BOLL MO. DERI KUR? Fanella e Prishtinës mund të përlyhet me lot, por asnjëherë me turp.

Kreshnik Vula, Plisat nuk harrojnë! Mundi i vjedhur i gjithë sezonit sot në Gjilan nuk është për tu harruar. Djemtë e Dallkut, Luanat e Prishtinës. Kokën lart. PLISAT i keni prapa. Ne besojmë te ju”, kanë shkruar Plisat në Facebook.

(Kosova Sot Online)