Vojvoda, sërish probleme me shkopthin e testimit për Covid-19

  • S.A /
  • 09 July 2020 - 08:45
Vojvoda, sërish probleme me shkopthin e testimit për Covid-19

Ylli i Kosovës, Mërgim Vojvoda, e bëri së fundi sërish testin për koronavirus, si pjesë e protokollit të klubit të tij Standard Liege. Në videon e publikuar nga futbollisti dhe të shpërndarë nga klubi vërehet se testi nuk ishte aspak i lehtë për kosovarin.

Pas ndërprerjes së futbollit në Evropë në muajin mars shkaku i përhapjes së koronavirusit, Belgjika vendosi të mos i rinisë ndeshjet e kampionatit, duke e shpallur Club Brugge kampion të ri.

Megjithatë, klubi belg Standard Liege tani është duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm dhe, për t’ua lejuar stërvitjet e rregullta, ata duhet t’i testojnë vazhdimisht lojtarët, në mënyrë që të mos ketë infektim masiv në skuadër.

Pjesë e kësaj procedure ishte edhe mbrojtësi anësor kosovar Mërgim Vojvoda, i cili, siç shihet në video, nuk e pati aspak të lehtë ta durojë shkopthin e testimit për Covid-19.

Vojvoda e kishte bërë një test për koronavirus edhe në fund të muajit të kaluar bashkë me të gjithë skuadrën e tij, por testimet bëhen rregullisht në mënyrë që të identifikohet sa më shpejt një raste dhe të mos lejohet shpërndarja e virusit.

(Kosova Sot Online )