Sarri: Luajtëm kundër njërës prej skuadrave më në formë në Evropë

  • A.P /
  • 12 July 2020 - 08:50
Sarri: Luajtëm kundër njërës prej skuadrave më në formë në Evropë

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, beson se Atalanta është njëra prej skuadrave më në formë në Evropë tani për tani dhe thotë se skuadra e tij ia doli ta nxjerrë një barazim 2:2 ndaj saj vetëm pasi e ndryshoi qasjen e lojës në pjesën e dytë.

Bardhezinjtë u mbizotëruan plotësisht në pjesën e parë dhe e gjetën veten në disavantazh dy herë të shtunën në Torino, por e arritën një barazim 2:2 falë dy penalltive të shënuara nga Cristiano Ronaldo.

Ky rezultat ia mundësoi Juventusit ta ngrejë në nëntë pikë epërsinë në krye të Serie A, pasi Lazio u mund 2:1 nga Sassuolo më herët gjatë ditës.

“Ne u përballëm me njërën prej skuadrave më në formë në Evropë”, tha Sarri pas ndeshjes.

“Ajo është skuadër agresive dhe e organizuar shumë mirë. Në fillim ne gabuam që pritëm të na vinte topi në këmbë, sepse ata i shfrytëzojnë këto situata dhe kështu i pranuam golat, duke e humbur topin”, shtoi ai.

“Të luash kundër Atalantas është shumë e vështirë. Ajo ishte shumë më e mprehtë se ne në pjesën e parë, por ne ia dolëm të ktheheshim në lojë në pjesën e dytë dhe fatmirësisht ta barazonim rezultatin. Ne ishim më energjikë, u mbrojtëm më larg portës dhe nuk ishim shumë pasivë. Kjo na e mundësoi ta fitonim topin më shpesh në mesfushë dhe kjo e ndryshoi ndeshjen”, theksoi ai. 

(Kosova Sot Online)