Dortmundi ia cakton çmimin Sanchos

  • A.P /
  • 12 July 2020 - 17:42
Dortmundi ia cakton çmimin Sanchos

Borusia e Dortmundit nuk e lëshon futbollistin e talentuar anglez Jadon Sancho pa 130 milionë euro.

20-vjeçari i përfaqësueses angleze, që u ble nga Manchester City në gushtin e vitit 2017 për vetëm 8 milionë stërlina, është pa dyshim lojtari më i çmuar që kanë verdhezinjtë në gjirin e tyre, sidoqoftë pavarësisht shumës fare modeste që paguan tre vjet më parë për anësorin londinez, drejtuesit aktualë të Dortmundit tani këmbëngulin për të thyer rekordin e klubit, që mbahet nga sulmuesi francez, Ousmane Dembele, dhe që është vendosur që në vitin 2017, kur kaloi në radhët e Barcelonës për plot 105 milionë euro.

Prej kohësh për këtë futbollist interesohet Manchester United dhe “Djajtë e Kuq” synojnë ta blejnë lojtarin e përfaqësueses së “Tre Luanëve” tre vjet pas tentativës së tyre të parë.

Në vitin 2017 Sancho preferoi të mos i hapte telashe vetes, duke kaluar direkt nga City tek United, megjithatë këtë herë duket sikur janë pjekur kushtet dhe dëshira e 20-vjecarit londinez për t’u rikthyer në Ishull sa vjen e rritet.

Duke parë interesimin e vazhdueshëm të Manchester United, klub që pozicionohet i treti në listën e revistës prestigjioze Forbes, me një vlerë të përgjithshme prej plot 4 miliardë dollarësh, dy drejtuesit më të lartë të verdhezinjve, Hans – Joachim Watzke dhe Michael Zorc tani u kërkojnë “Djajve të Kuq” një shifër 130 milionë euro për Jadon Sanchon.

Në fakt, futbollisti me origjinë nga Trinitad Tobago firmosi kontratë 5-vjeçare me klubin e famshëm nga Westfalia dhe praktikisht Sancho ka hyrë në dy vitet e tij të fundit të kontratës me Dortmundin.

Nga sa bëhet e ditur synimi i Sanchos është largimi nga një kampionat si Bundesliga, prandaj 20-vjeçari duket se e ka ndarë mendjen për të mos rinovuar kontratën me Borusian.

(Kosova Sot Online)