Bartomeu i gëzon tifozët e Barcelonës: Messi dëshiron ta përfundojë karrierën këtu

  • S.A /
  • 13 July 2020 - 10:36
Bartomeu i gëzon tifozët e Barcelonës: Messi dëshiron ta përfundojë karrierën këtu

Tifozët e Barcelonës ende janë në ankth pasi kapiteni i tyre Lionel Messi po futet në vitin e fundit të kontratës.

Yllit argjentinas i skadon kontrata me Barcelonën në verën e vitit 2021, ndërsa ende nuk ka pranuar rinovimin me klubin.

Gjithsesi ka qenë presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu që është përkujdesur për t’i gëzuar tifozët katalunas.

Numri një i kampionit në fuqi të La Ligas ka deklaruar se kanë folur me Messin dhe po flasin për rinovimin e kontratës.

“Ne kemi folur, po flasim dhe do të vazhdojmë të flasim me Messin për vazhdimin e kontratës”.

Bartomeu ka deklaruar se dëshira e Messit është të përfundojë karrierën e tij te Barcelona.

“Messi dëshiron ta përfundojë karrierën e tij te Barcelona, ne patjetër do të rinovojmë me të dhe unë nuk kam dyshime për këtë”, deklaroi Bartomeu.

33-vjeçari ka kaluar tërë karrierën e tij te Barcelona, teksa në ekipin e parë ka debutuar në vitin 2005.

Gjashtë herë fituesi i Topit të Artë po kalon nëpër një formë fantastike, ku në 40 ndeshje zyrtare në të gjitha garat ka shënuar 27 gola dhe ka bërë 25 asistime.

(Kosova Sot Online )