Trajneri i Belgjikës: Hazard do t’i sjellë shumë suksese Real Madridit

  • S.A /
  • 14 July 2020 - 11:03
Trajneri i Belgjikës: Hazard do t’i sjellë shumë suksese Real Madridit

rajneri i ekipit kombëtar të Belgjikës, Roberto Martinez, beson se Eden Hazardi do t’i sjellë shumë suksese Real Madridit, ndërsa ka shtuar se ylli belg veçse e ka dëshmuar që ai është yll në fushën e lojës.

Eden Hazardi e shkëmbeu Chelsean për Real Madridin gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, në një marrëveshje prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, belgu s’ka arritur ta shfaqë më të mirën e tij në Santiago Bernabeu ende. Problemet e shumta me lëndime e kanë kufizuar Hazardin në vetëm 15 paraqitje në kryeqytetin spanjoll në La Liga dhe 20 gjithsej në të gjitha garat, pasi ai  e kishte thyer kyçin e këmbës, para ndërprerjes së sezonit shkaku i përhapjes së Covid-19. Por, trajneri i ekipit kombëtar të Belgjikës, Martinez, pret gjëra të mëdha nga Hazardi në Real.

“Unë po e bëj një vlerësim pozitiv sepse ti duhet ta vlerësosh një lojtar edhe në momentet e mira, edhe në ato të këqija. Ky ka qenë viti më i vështirë në karrierën e Edenit, sepse ai kurrë më parë s’ka munguar në kaq shumë ndeshje”, ka thënë Martinez.

“Hazardi ia ka dëshmuar Real Madridit se ai është një lojtar yll , rreth të cilit mund të ndërtosh një projekt për të ardhmen dhe se ai do t’i sjellë klubit shumë suksese”.

“Fakti që La Liga është shtyrë ka qenë në të mirën e Edenit, në mënyrë që ai të ketë mundësi të luajë para se të përfundonte sezoni aktual. Ai tani është plotësisht i gatshëm ta çojë përpara këtë projekt”.

(Kosova Sot Online )