Real Madridit i duhen vetëm edhe dy pikë për t’u shpallur kampion i La Ligës

  • A.P /
  • 14 July 2020 - 14:26
Real Madridit i duhen vetëm edhe dy pikë për t’u shpallur kampion i La Ligës

Real Madridit i nevojiten vetëm edhe dy pikë nga dy ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit aktual për t’u shpallur kampion i La Ligës.

Skuadra e Zinedine Zidane e bëri edhe një hap tjetër në rrugën drejt trofeut të kampionit të Spanjës, përmes fitores me rezultat 2:1 në ndeshjen kundër Granadas të hënën.

Nëse Los Blancos e mposhtin Villarrealin në stadiumin Alfredo di Stefano të enjten në mbrëmje, atëherë madrilenët do të konfirmohen si kampionët e ri të La Ligës këtë sezon.

Nëse Villarreal kthehen nga kryeqyteti spanjoll me barazim ose me fitore, atëherë Real Madridi do ta ketë rastin tjetër për ta fituar trofeun në ndeshjen e së dielës kundër Leganes.

Barcelona ende ka gjasa ta ndalë Real Madridin nga titulli i 34-të i ligës elitare të futbollit në Spanjë, mirëpo gjasat e tyre tani janë të vogla, pas gabimeve të bëra që nga rinisja e sezonit.

Nëse djemtë e Quique Setien humbin pikë kundër Osasunas ose Alavesit, atëherë atyre do t’u marrë fund ëndrra për titullin e kampionit. 

(Kosova Sot Online)