Rashford shpërblehet me diplomë nderi nga Universiteti i Mançesterit

  • S.A /
  • 15 July 2020 - 10:15
Rashford shpërblehet me diplomë nderi nga Universiteti i Mançesterit

Marcus Rashford do të shpërblehet me diplomë nderi nga Universiteti i Mançesterit, pasi fushata e tij për t’u ndihmuar fëmijëve të varfër duke u ofruar ushqim falas gjatë verës pati sukses. Sulmuesi i Manchester Unitedit ishte në qendër të vëmendjes në qershor pasi e shkroi një letër emocionale në drejtim të qeverisë britanike, duke dhënë detaje nga fëmijëria e tij e vështirë dhe duke treguar se si ishte varur nga ushqimet falas që i merrte në shkollë për ta shuar urinë. 22-vjefcari e shprehi besimin e tij se të gjithë fëmijët që i plotësojnë kriteret për të marrë vakte falas në shkollë gjatë vitit akademik duhet të vazhdojnë të marrin vakte falas edhe gjatë verës, përderisa u kërkoi anëtarëve të Parlamentit britanik t’ia pranojnë këtë kërkesë.

Anglezi pati sukses me këtë fushatë, pasi që kryeministri britanik e ndryshoi mendjen dhe e falënderoi Rashfordin për punën e bërë, pasi që ai i grumbulloi mbi 20 milionë funte për t’u ndihmuar personave më në rrezik gjatë krizës së koronavirusit, duke u dërguar ushqime. Universiteti i Mançesterit tani ka vendosur ta shpërblejë Rashfordin me diplomë nderi për punën e tij për komunitetin, duke bërë kështu që Rashford t’i ndjekë hapat e legjendave të Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson dhe Sir Bobby Charlton. “Është një ditë e mrekullueshme për mua dhe familjen time. Kur i shikoni emrat e mrekullueshëm që janë shpërblyer me këtë diplomë në të kaluarën, me të vërtetë është e jashtëzakonshme. Ne kemi ende punë për të bërë për ta luftuar urinë e fëmijëve në këtë vend”, ka thënë Rashford.

(Kosova Sot Online )