Liga e Kampionëve, kushti i Man Unitedit për transferimin e Sanchos

  • S.A /
  • 15 July 2020 - 11:05
Liga e Kampionëve, kushti i Man Unitedit për transferimin e Sanchos

Gazeta gjermane Bild sot raporton se Manchester Unitedi do të jetë i gatshëm t’i paguajë 120 milionë eurot e kërkuara nga Borussia Dortmundi për blerjen e Jadon Sanchos vetëm nëse e arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve. 20-vjeçari është përfolur për një kthim në Premierligë gjatë afatit kalimtar të verës, mirëpo Borussia Dortmundi dhe Manchester Unitedi mbeten larg njëra-tjetrit në vlerësimin për futbollistin.Gjiganti i Bundesligës i kërkon 120 milionë funte për ta shitur këtë verë Sanchon, futbollist ky të cilin e kishin blerë nga Manchester City për vetëm tetë milionë funte në gusht të vitit 2017.

Manchester Unitedi mbetet klubi favorit për transferimin e Sanchos këtë verë, mirëpo zyrtarë të klubi i kanë thënë Sky Sports se Djajtë e Kuq nuk janë të gatshëm ta paguajnë çmimin e kërkuar nga Dortmundi, pasi që besojnë se çmimi i tij duhet të ulet si shkak i krizës së sjellë nga koronavirusi. Por, Bild tani raporton se Manchester Unitedi është i gatshëm t’i shpenzojë 120 milionë euro për transferimin e Sanchos këtë verë nëse Djajtë e Kuq e arrijnë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, gjë të cilën Reds e kanë vetë në duar. Ndërkohë, drejtori sportiv i klubit gjerman ka thënë se Sancho s’do të shitet nëse klubet s’e paguajnë plotësisht çmimin që po kërkohet për Sanchon. “Jadon e ka një kontratë të vlefshme me ne dhe ne do të ishim shumë të lumtur ta kemi atë me vete edhe sezonin e ardhshëm”, ka thënë Zorc.“Të mendojmë për ndonjë opsion tjetër do të duhej që periudha kohore të jetë e duhur dhe, së dyti, kërkesa jonë për çmim do të duhej të plotësohej 100 për qind”. Gjiganti anglez nuk ka bërë ende asnjë ofertë zyrtare për Sanchon, i cili i ka shënuar 17 gola në Bundesligë dhe i ka bërë 16 asiste gjatë sezonit 2019/20.

(Kosova Sot Online )