FFK-ja reagon pas lajmit se UEFA ka kërkuar dorëheqjen e Agim Ademit

  • E.K /
  • 15 July 2020 - 16:02
 FFK-ja reagon pas lajmit se UEFA ka kërkuar dorëheqjen e Agim Ademit

Federata e Futbollit e Kosovës e ka përgënjeshtuar lajmin se UEFA ka kërkuar nga Agim Ademi të japë dorëheqje nga posti i presidentit, duke thënë se lajmet e tilla kanë për qëllim destabilizimin e Federatës.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është përballur me kundështim të vazhdueshëm tash e një kohë, pas dënimit të tij me nëntë muaj burgim për një çështje të vitit 2012 jashtë futbollit. Ademi e kishte apeluar këtë vendim në Gjykatën e Apelit, e cila megjithatë e kishte përkrahur vendimin e Gjykatës Themelore.

Më vonë u bë e ditur se Ademi është urdhëruar të paraqitet në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për ta kryer këtë dënim, përderisa e pret vendimin final nga Gjykata Supreme. Megjithatë, Ademi e apeloi edhe këtë vendim dhe atij iu shty ekzekutimi i dënimit për tre muaj, shkaku i gjendjes shëndetësore.

Sot u raportua se UEFA ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ademit nga posti i FFK-së shkaku i këtij dënimi, megjithatë FFK-ja i ka përgënjeshtruar këto lajme.

Në reagimin e FFK-së, Ademi thotë se UEFA është në dijeni për rastin e tij, por se në asnjë rast nuk ia ka kërkuar dorëheqjen.

“Vazhdimisht kam qenë dhe jam në kontakt të drejtpërdrejt me organet e UEFA-s dhe çdo herë jam konsultuar për rastin tim gjyqësor dhe UEFA në çdo hap ka qenë e informuar mbi ecurinë e procesit”, thuhet në reagimin e Ademit.

“Përkundër faktit se kam e ndje veten të pafajshëm gjithmonë kam besuar në drejtësi dhe për këtë arsye e kam kërkuar të drejtën time legjitime deri në instancën e fundit gjyqësore, me ç’rast jam duke e pritur vendimin përfundimtar. Për këtë është e informuar edhe UEFA, e cila asnjëherë nuk ka kërkuar dorëheqjen time”.

“Organet e UEFA-s më kanë përkrahur në ushtrimin e funksionit tim dhe të kërkoj të drejtën time deri në fund të procesit. Këtë gjë ma kanë mundësuar edhe KE dhe të gjitha Lidhjet Rajonale të futbollit, me çka i falënderoj  për mbështetjen dhe për mundësinë e dhënë”.

“Prandaj, lajmet e tilla spekuluese kanë për qëllim destabilizimin e federatës dhe sjelljes në konfuzitet të klubeve, të njerëzve të futbollit dhe organeve të futbollit në fund të këtij edicioni futbollistik”.

(Kosova Sot Online)