Arteta: Është e qartë që na duhen përforcime në skuadër

  • S.A /
  • 16 July 2020 - 10:00
Arteta: Është e qartë që na duhen përforcime në skuadër

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, beson se skuadrës së tij do t’i duhen përforcime gjatë afatit kalimtar të verës, përkundër që djemtë e tij e mposhtën Liverpoolin të mërkurën.

Arsenali i Mikel Artetas e mori një fitore të madhe në Premierligë të mërkurën, kur e mposhtën kampionin e ri, Liverpoolin, me rezultat 2:1.

Megjithatë, Topçinjtë kaluan në epërsi falë disa gabimeve të Liverpoolit, që ia mundësuan Arsenalit të shënojë përmes Alexandre Lacazette dhe Reiss Nelson.

Përkundër kësaj fitoreje kundër kampionit, Arsenali – që radhitet në pozitën e nëntë në tabelë tani që kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund – janë 40 pikë prapa Liverpoolit. Për këtë arsye, Arteta ka insistuar se atij i duhej lojtarë të rinj në skuadër.

“Mendoj se është shumë e qartë se neve na duhen përforcime në skuadër”, tha Arteta në konferencën për shtyp të mbajtur pas ndeshjes.

Arsenali nuk ka arritur ta fitojë titullin e Premierligës që nga viti 2004, ndërsa që nga sezoni 2015/16 nuk ka arritur as të radhitet në top katërshe të Anglisë. Kur u pyet se për sa kohë do të mundë të garojë Arsenali sërish për titull, Arteta theksoi se kjo varet nga puna e klubit.

(Kosova Sot Online )