Ambasadori gjerman pret krerët e FFK-së: Jam bërë tifoz i Kosovës

  • A.P /
  • 16 July 2020 - 13:36
Ambasadori gjerman pret krerët e FFK-së: Jam bërë tifoz i Kosovës

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Kosovë ka pritur sot presidentin Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu.

Sipas njoftimit të FFK-së, Heldt e ka përgëzuar presidentin  Ademin për punën që ka bërë në krye të FFK-së, teksa theksoi që Kombëtarja e Kosovës me paraqitjet e treguara e ka bërë atë fans të saj.

Tutje ambasadori gjerman i inkurajoi presidentin Ademin dhe sekretarin e përgjithshëm Salihu që të vazhdojnë me punën dhe me avancimin e futbollit në Kosovë.

Ndërkaq, presidenti Ademi e falënderoi ambasadorin Heldt për përkrahje dhe për qëndrimin e tij të drejt dhe bashkëpunues, ashtu siç janë edhe marrëdhëniet me DFB-në, ku Rainer Milkoreit është edhe ambasador nderi i Kosovës dhe përgjegjës për Kosovën në DFB.

Presidenti Ademi e falënderoi edhe shtetin gjerman dhe DFB-në që mundësojnë funksionimin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani dhe klubeve shqiptare atje, teksa përmendi edhe komunitetit tonë atje dhe talentet e shumta dhe familjet e tyre që bëjnë gjithçka për ta lartësuar emrin e Kosovës.

Së fundmi FFK ka nënshkruar kontratë bashkëpunimi edhe me Unionin e Biznesit Shqiptar në Gjermani, derisa një mbështetje të vazhdueshme e ka pasur nga përfaqësuesit e FFK-së, Ruzhdi Statovci me FFSHGJ, vëllezërit Shoshi dhe Fekmi Kongjeli.
(Kosova Sot Online)