City mban bisedime me UEFA-n, pas vendimit të CAS-it

  • E.K /
  • 16 korrik 2020 - 15:28
 City mban bisedime me UEFA-n, pas vendimit të CAS-it

Gazeta britanike DailyMail raporton se Manchester City dhe UEFA kanë mbajtur bisedime mes vete pas vendimit të CAS-it, me qëllim që të arrihet një lloj paqeje mes dy palëve pas mosmarrëveshjeve për rregullat e ndershmërisë financiare.

Manchester City do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) e ka shfuqizuar dënimin me dy vjet pezullim nga futbolli evropian për klubin anglez.

 

UEFA e dënoi Man Cityn me dy vjet pezullim nga garat evropiane në shkurt të këtij viti, për shkelje të rënda të rregullave për ndershmëri financiare (FFP). Klubi i Premierligës i pati mohuar akuzat në mënyrë të vazhdueshme dhe të ashpër dhe muajin e kaluar vendosi të ankohej ndaj dënimit në CAS.

Pas një seance dëgjimore që zgjati tri ditë në muajin qershor, CAS-i ka vendosur tani që t’ia heqë dënimin të kaltërve. Kjo nënkupton se City do të jetë i lirë të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa, dënimi me gjobë prej 30 milionë euro i është ulur në 10 milionë euro.

Pas këtij vendimi nga CAS, kryetari i Manchester City,  Khaldoon Al Mubarak, e inicioi një bisedë me presidentin e UEFA, Akeksander Ceferinin, në tentim për të arritur paqe mes dy palëve, pas konfliktit.

DailyMail raporton se kjo bisedë mes dy palëve shkoi mirë dhe të dy krerët u pajtuan që ta përmirësojnë bashkëpunimin në të ardhmen, për të krijuar situatë më paqësore për të dyja palët.

Tifozët e Manchester Cityt e kanë ndierë një lloj rivaliteti me UEFA-n tash e një kohë dhe kjo është dëshmuar në ndeshjet e Ligës së Kampionëve të Manchester Cityt, kur tifozët e Citizens e kanë fishkëllyer himnin e garës.

(Kosova Sot Online)