Ministrja Dumoshi e takon Zhegrovën: Talenti i tij i madh është vërejtur gjithmonë

  • E.K /
  • 16 July 2020 - 18:16
 Ministrja Dumoshi e takon Zhegrovën: Talenti i tij i madh është vërejtur gjithmonë

Ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se talenti i madh i yllit të ekipit kombëtar të Kosovës, Edon Zhegrova, është motiv për vendin që t’i përkrahë talentet e vet të shumtë.

Dumoshi e takoi Zhegrovën, i cili është duke pushuar në atdhe, të enjten në Prishtinë.

Ajo u zotua se do t’i përkrahë vazhdimisht sportistët e talentuar kosovarë pas takimit me 21-vjeçarin, në një postim në llogarinë e vet në rrjetin social Facebook.

Zhegrova, i cili e pati paraqitje mbresëlënëse në fanellën e Baselit këtë sezon para Superliga e Zvicrës të përfundonte para kohe për shkak të pandemisë koronavirus, është kthyer mbrapsht në Genk nga klubi zviceran.

Baseli vendosi të mos e blejë kosovarin për 3.5 milionë euro për shkak të krizës financiare.  

“Sot, takova futbollistin e Përfaqësueses së Kosovës, Edon Zhegrova, i cili luan në Zvicër. Edonin e njoh që kur ishte fëmij, prej atëherë vërehej dukshëm talenti i madh i tij në futboll. Arritjet e Edonit në futbollin evropian, na japin motiv që t’i përkrahim talentët e rinj në futboll, e që në Kosovë janë të shumtë”, shkroi ajo në Facebook.

Dumoshi shtoi: “Emri i Edon Zhegrovës dhe shumë futbollistave tjerë na bëjnë krenar me paraqitjet e tyre nëpër fushat e futbollit botëror. Kosova promovohet vazhdimisht përmes sportit, kulturës dhe artit, ndërsa unë si ministre do t’i përkrah pa rezervë të gjithë talentët kosovar”.

Zhegrova pati takime edhe me krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës ditë më parë.

(Kosova Sot Online)