Shaqiri mund t’i bashkohet Muriqit në Fenerbahce, klubi turk bën ofertë

  • E.K /
  • 17 July 2020 - 15:51
 Shaqiri mund t’i bashkohet Muriqit në Fenerbahce, klubi turk bën ofertë

Mediumi turk Fotomac raporton se Xherdan Shaqiri mund t’i bashkohet Vedat Muriqit në skuadrën e Fenerbahces nga Liverpooli për sezonin e ardhshëm, pasi tashmë thuhet se gjiganti turk i ka bërë ofertë futbollistit.

E ardhmja e Xherdan Shaqirit në Liverpool është vënë në dyshim gjatë këtij sezoni, shkaku i mungesës së minutave në fushën e blertë për të, pasi që përfaqësuesi zviceran me origjinë nga Kosova nuk po gjen dot vend në formacionin e parë të Jurgen Kloppit.

Tani, dy vjet pas transferimit në Anfield nga Stoke City, Shaqiri raportohet se mund ta nisë një tjetër sfidë në karrierën e tij, pasi në të kaluarën kishte fituar tituj edhe me Bayern Munichun dhe Interin.

Mediumi turk Fotomac raporton se karriera e tij si futbollist mund ta dërgojë tani Shaqirin në Turqi, ku do t’i bashkohej yllit të Kosovës, Vedat Muriqit, në skuadrën e Fenerbahces, nëse s’largohet ky i fundit.

Gjiganti turk raportohet se tashmë ia ka bërë një ofertë Shaqirit, të cilit i kanë ofruar kontratë prej 35 mijë funtesh në javë, mirëpo ende nuk dihet nëse Fenerbahce do të mundë ta përballojë financiarisht çmimin që i kërkohet nga Liverpooli.

Nëse arrihet ky transferim, atëherë Shaqiri do ta kishte mundësinë të luante përkrah Muriqit, i cili së fundi ka bërë të ditur se nuk do të largohet nga Fenerbahce pa e fituar titullin e kampionit.

“Nuk dua të largohem nga Fenerbahce pa e fituar titullin e kampionit”, ka deklaruar Muriqi për “Sporx”.

(Kosova Sot Online)