Kololli zbulon mospajtimin me Challandes, rrëfen për lidhjen me Kosovën

  • G.G /
  • 18 July 2020 - 19:50
Kololli zbulon mospajtimin me Challandes, rrëfen për lidhjen me Kosovën

Ylli i Kosovës, Benjamin Kololli, ka bërë të ditur se ai ka pasur mospajtime me trajnerin Bernard Challandes lidhur me pozitën e tij të lojës, përderisa ka rrëfyer edhe për lidhjen e tij me Kosovën.

Benjamin Kololli ka qenë duke shkëlqyer për klubin zviceran Zurich në pozitën e mesfushorit të krahut të majtë, megjithatë në Kosovë ai ka luajtur si mbrojtës i krahut të majtë.

Në një intervistë të dhënë së fundi për gazetën zvicerane NZZ, Kololli ka bërë të ditur se pikërisht pozita e tij e lojës ka qenë temë diskutimi mes tij dhe trajnerit të ekipit kombëtar, Challandes.

“Unë i kam thënë shumë herë Challandes-it se nuk jam i lumtur me pozitat në të cilat më ka vendosur ai”, ka thënë Kololli.

“Ai më tha se unë duhet ta ndihmoj skuadrën. Unë gjithmonë e jap më të mirën time, edhe kur luaj jashtë pozitës sime. Por, e kam dëshmuar tani në Zurich se ku luaj më së miri”.

“Është e vërtetë, Challandes ka karakter të fortë. Por, ai është edhe person shumë i kuptueshëm. Mund ta vëresh që ka shumë përvojë”.

Kololli ka rrëfyer edhe për lidhjen e tij me Kosovën dhe për vështirësitë me të cilat ishte përballur babai i tij.

“Çka do të thotë Kosova për mua? Gjithçka. Është vendi im, aty i kam rrënjët. Ekipi kombëtar më ka bërë edhe më të afërt me Kosovën. Më herët e vizitoja Kosovën një herë në vit. Që kur e kemi ekipin kombëtar, shkoj katër apo pesë herë në vit”, ka thënë Kololli.

“Babai im ishte portier mjaft i mirë në Kosovë. Ai gjithmonë më thotë se sa me fat jemi ne. Nëse ai dëshironte të stërvitej, duhej të ecte dhjetë kilometra. Unë i kam edhe dy vëllezër më të mëdhenj dhe ata luajnë të dy futboll”,

“Nuk kam pasur asgjë tjetër në fëmijërinë time, përveç futbollit”. 

(Kosova Sot Online)