Dallku tregon dy gjërat që ia pamundësuan Prishtinës fitoren kundër Ballkanit

  • G.G /
  • 18 July 2020 - 19:57
Dallku tregon dy gjërat që ia pamundësuan Prishtinës fitoren kundër Ballkanit

Dallku tregon dy gjërat që ia pamundësuan Prishtinës fitoren kundër Ballkanit

Trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, beson se skuadra e tij do të mund të kishte dalë nga ndeshja kundër Ballkanit në Suharekë me fitore nëse nuk do t’i kishte munguar fati dhe nëse lojtarët do të kishin qenë të qetë para portës.

Ballkani dhe Prishtina u ndanë me barazim me rezultat 2:2 në stadiumin e qytetit në Suharekë, rezultat ky që kryeqytetasve ua shuan ëndrrat për titull, përderisa Ballkani mund të shpresojë ende, shkaku i disfatës së Dritës.

“Ishte ndeshje shumë e bukur, kishte mjaft raste e gola. Mirëpo, nëse do të ishim më të qetë para portës, do të dilnim fitues nga kjo ndeshje sepse e patë që kishim edhe raste për ta fituar ndeshjen”, tha Dallku në intervistën e dhënë për Supersport pas ndeshjes.

“E kemi parë edhe që është thënë se ne do të vijmë këtu vetëm sa për ta kaluar radhën. Por, ne në asnjë mënyrë nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Luajtëm futboll, kështu që i përgëzoj djemtë për angazhim, përkundër që përfundoi barazim. Ndoshta me pak fat do ta fitonim edhe ndeshjen”.

Dallku u pyet edhe për gjasat e Prishtinës për kualifikim në Ligën e Evropës dhe ai e theksoi se Prishtina do të ketë ndeshje më të lehta në letër në dy xhirot e fundit, si dhe është në finalen e Kupës së Kosovës.

“Normalisht, pasi që i kemi dy kundërshtarë më të dobët në letër apo që janë më poshtë në renditjen tabelare, natyrisht që i kemi bërë ato matematikat tona. Do të tentojmë t’i fitojmë dy ndeshjet dhe në fund do ta shohim se ku do të jemi. Mos të harrojmë që jemi edhe në finale me Ballkanin”, shtoi Dallku.

Pas këtij barazimi, Ballkani radhitet në pozitën e dytë, me dy pikë më pak se Drita, ndërsa Prishtina radhitet në pozitën e katërt, me gjashtë pikë më pak se liderja Drita. 

(Kosova Sot Online)