Ylli i Gjilanit: Të gjithë kundër nesh, e dëshmuan që e meritojmë titullin

  • G.G /
  • 18 July 2020 - 21:18
Ylli i Gjilanit: Të gjithë kundër nesh, e dëshmuan që e meritojmë titullin

Ylli i Gjilanit, Gerhard Progni, beson se skuadra e tij e dëshmoi me fitoren kundër Dritës se e meriton të shpallet kampion i Kosovës, përderisa ka pretenduar se të gjithë ishin kundër Gjilanit këtë sezon.

Xhiroja e 31-të e Superligës së Kosovës e solli derbin e Anamoravës, që këtë herë kishte rëndësi edhe më të madhe shkaku se edhe Drita e edhe Gjilani luftojnë për titullin e kampionit.

Gjilani e fitoi këtë ndeshje me rezultat 2:0. Golin e parë për Gjilanin e shënoi Sebino Plaku në minutën e 54-të të ndeshjes, pas një asistimi mbresëlënës nga Franc Veliu.

Ndërsa, pas një mundësie të artë të shpërdoruar nga Drita në minutën e parë shtesë, Gjilani e gjeti edhe golin e qetësisë në momentet e fundit të ndeshjes. Golin e shënoi Adenis Shala.

“Të gjithë ishin kundër nesh, por sot u pa që jemi ekip shumë i mirë dhe meritojmë të dalim kampion”, u shpreh Progni në intervistën e dhënë për Supersport pas ndeshjes

“Nuk më interesojnë sukseset personale por suksesi i Gjilanit dhe ne do të luftojmë për të dal në Evropë dhe për titull”.  

Përkundër kësaj disfate, Drita e mban edhe më tutje kreun e tabelës, megjithatë tani e ka vetëm një pikë më shumë se Gjilani, që radhitet në pozitën e dytë në tabelë. 

(Kosova Sot Online)