Sarri: Kur Ronaldo nuhat gjak, ai është i jashtëzakonshëm

  • S.A /
  • 21 July 2020 - 08:12
Sarri: Kur Ronaldo nuhat gjak, ai është i jashtëzakonshëm

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, e ka cilësuar sulmuesin e tij, Cristiano Ronaldo, si të jashtëzakonshëm, pasi ylli portugez theu rekord si lojtari që arrin t’i shënojë 50 gola në Serie A më së shpejti.

Cristiano Ronaldo e arriti shifrën prej 50 golave në Serie A brenda vetëm 61 ndeshjeve, me golat e tij të shënuara nga fitoren e Juventusit me rezultat 2:1 kundër Lazios në Torino, të hënën.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë i shënoi dy gola brenda tre minutave në pjesën e dytë të ndeshjes, për ta afruar kështu Juventusin te titulli i nëntë radhazi i Serisë A.

Ish-ylli i Real Madridit dhe Manchester Unitedit u bë gjithashtu edhe lojtari i parë që arrin t’i shënojë 50 ose më shumë gola në tri ligat më të mëdha të Evropës – Serie A, La Liga dhe Premierliga.

“Kur Ronaldo nuhat gjak… Ai është i jashtëzakonshëm. Ai rikuperohet shumë shpejt mes ndeshjeve – nuk është diçka vetëm fizike, por edhe psikologjike”, ka thënë Sarri.

“Ai mund të jetë tipi i lojtarit që harxhon shumë energji në secilën ndeshje, mirëpo e rikuperon atë çdo herë dhe ai është i klasit botëror edhe në mendje, edhe në këmbë”.

(Kosova Sot Online )