Arteta, optimist për rinovimin e kontratës së Aubameyangut

  • S.A /
  • 21 July 2020 - 10:05
Arteta, optimist për rinovimin e kontratës së Aubameyangut

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka thënë se atij po i pëlqen rrjedha e negociatave me Pierre-Emerick Aubameyangun për rinovimin e kontratës së tij, ndërsa është shprehur i bindur se kapiteni i skuadrës do të qëndrojë në klub.

Pierre-Emerick Aubameyang, i cili i shënoi dy gola për Topçinjtë në fitoren e së shtunës në gjysmëfinale të FA Cup kundër Manchester Cityt, e ka vetëm edhe një vit të mbetur në kontratën e tij në Emirates.

Arteta e pranoi të hënën se e ardhmja e golashënuesit të tij më të mirë mbetet e paqartë ende, por që nga atëherë ka thënë se ai pret që të gjendet së shpejti një zgjidhje mes klubit dhe lojtarit për rinovimin e kontratës.

“Nuk e di, është e vështirë t’ia caktosh një datë kësaj”, tha Arteta, kur u pyet se kur është afati përfundimtar kur dy palët mund ta arrijnë një marrëveshje.

“Mua më pëlqen rrjedha e negociatave, më pëlqen ajo që po e dëgjoj. Jam i sigurt se për të dy palët do të jetë më mirë të arrihet marrëveshja sa më shpejt”.

“Unë jam i bindur se ai do ta zgjasë qëndrimin e tij këtu”.

Kur u pyet se pse është kaq optimist se kapiteni aktual nuk do të largohet nga skuadra, Arteta tha: “Ai është i lumtur, në përgjithësi. Mendoj se po e shijon futbollin këtu. Është përshtatur mirë në Angli dhe edhe familja e tij është mirë këtu’.

“Mendoj se ai e kupton – ia kemi thënë edhe ne – se sa shumë na pëlqen ai neve dhe sa shumë e vlerësojmë. Mendoj se lidhja që ai e ka me tifozët është e veçantë. Besoj se ai është në vendin e përsosur për vete”.

“Të njëjtat gjëra i kam dëgjuar edhe nga ai dhe nga njerëzit përreth tij, kështu që nuk kam asnjë argument për të thënë diçka tjetër”.

(Kosova Sot Online )