Ozil refuzon mundësinë të luajë përkrah Vedat Muriqit

  • S.A /
  • 21 July 2020 - 10:59
Ozil refuzon mundësinë të luajë përkrah Vedat Muriqit

Mesut Ozil e ka refuzuar një ofertë për ta shkëmbyer Arsenalin me Fenerbahcen, ku luan sulmuesi kosovar Vedat Muriqi, gjatë afatit kalimtar të verës, sipas gazetës gjermane Bild.

Mesfushori gjerman me origjinë turke u duk se do të ishte pjesë e rëndësishme e projektit të Mikel Artetas në Arsenal, kur spanjolli e mori postin e trajnerit në Emirates pas shkarkimit të Unai Emery në dhjetor.

Megjithatë, 31-vjeçari nuk ka luajtur për Topçinjtë që nga rinisja e sezonit dhe tani që i kanë mbetur vetëm edhe më pak se 12 muaj në kontratën e tij, ai po përballet me një të ardhme të pasigurt në Emirates.

Gazeta prestigjioze gjermane Bild raporton se mesfushori së fundi e ka refuzuar një ofertë nga klubi i Superligës turke, Fenerbahce, ku Vedat Muriqi raportohet se do të qëndrojë edhe për sezonin e ardhshëm.

Paga prej 350 mijë funtesh në javë e Ozilit në Arsenalit raportohet të ketë qenë pengesa kryesore gjatë bisedimeve të Ozilit me Fenerbahcen.

Bild raporton se tani fituesi i Kupës së Botës planifikon të qëndrojë në Emirates deri në fund të kontratës së tij, përkundër mungesës së minutave në fushën e blertë.

(Kosova Sot Online )