Portieri i Real Madridit blen shtëpi në Londër, fotografohet para saj

  • E.K /
  • 21 July 2020 - 21:11
 Portieri i Real Madridit blen shtëpi në Londër, fotografohet para saj

Alphonse Areola nuk do të qëndrojë në Real Madrid pas përfundimit të këtij sezoni dhe duket se klubi i tij i ardhshëm do të jetë në Premierligën angleze.

Gardiani i portës, i cili e kaloi sezonin 2019/20 në huazim te Real Madridi nga Paris Saint-Germain, ka kontratë me klubin francez deri në vitin 2023, por duket se sezoni i ri do ta gjejë në Premierligë.

Areola ka blerë shtëpi në Londër dhe këtë e ka bërë publike bashkëshortja e tij në rrjetet sociale.

“Para ca vitesh, ëndrra jonë ishte ta kishim shtëpinë në Londër”, shkroi bashkëshortja e tij në përshkrimin e një fotografie të familjes para një shtëpi në Instagram.

“Ëndrra jonë u bë realitet. Të lumtur dhe të bekuar”, shkroi ajo.

Portieri francez dëshiron të luajë në mënyrë që të ketë mundësi të garojë për një vend në portën e Francës në Kampionatin Evropian 2020 që mbahet vitin e ardhshëm.

Këtë nuk mund ta realizojë në PSG apo Real Madrid, prandaj duket se ka gjetur skuadër të re që ia ofron këtë mundësi.

(Kosova Sot Online)