Mbappe premton qëndrimin në PSG: Pavarësisht çfarë ndodh, s’largohem

  • S.A /
  • 22 July 2020 - 08:55
Mbappe premton qëndrimin në PSG: Pavarësisht çfarë ndodh, s’largohem

Sulmuesi francez, Kylian Mbappe, thotë se ai do të jetë lojtar i Paris Saint-Germainin sezonin e ardhshëm pavarësisht se çfarë do të ndodhë.

Fituesi i Kupës së Botës vazhdon të jetë i spekuluar për një transferim larg Paris Saint-Germainit, klubit të cilit iu bashkua nga Monaco në vitin 2017 fillimisht si huazim, pastaj si blerje prej 180 milionë eurosh.

Mbappe i kishte shënuar 30 gola në të gjitha garat këtë sezon, para se gjigantit të Ligue 1 iu anulua sezoni shkaku i përhapjes së koronavirusit në Francë dhe kudo në botë.

Sulmuesi i talentuar do ta ketë mundësinë të shtojë edhe gola të tjerë në këtë rekord të tij në finalet e Coupe de France dhe Coupe de la Ligue, si dhe kur të rinisë Liga e Kampionëve në gusht.

Përderisa Mbappe vazhdon të jetë i spekuluar për një transferim potencial në të ardhmen në Liverpool ose Real Madrid, ai tani e ka konfirmuar se do të jetë pjesë e skuadrës së Paris Saint-Germainit edhe për sezonin e ardhshëm.

“Jam këtu. Unë jam pjesë e projektit të klubit për të katërtin vit”, ka thënë Mbappe për beIN Sports.

“Viti i 50-të i klubit është një vit shumë i rëndësishëm për klubin, për tifozët dhe për të gjithë. Kështu që unë do të jem këtu, pavarësisht se çfarë ndodh”.

“Do të tentoj t’i sjell trofetë këtu, bashkë me skuadrën, dhe do ta jap më të mirën nga vetja”.

(Kosova Sot Online )