“Xhebrailat” befasojnë lojtarët e Ballkanit me fishekzjarrë para duelit me Gjilanin

  • S.A /
  • 22 July 2020 - 09:17
“Xhebrailat” befasojnë lojtarët e Ballkanit me fishekzjarrë para duelit me Gjilanin

Lojtarët dhe stafi i trajnerëve të Ballkanit e kanë një detyrë të vështirë para vetes sot, mirëpo vetëm rreth dhjetë orë më herët, ata u befasuan me fishekzjarrë e këngë nga grupi i tifozëve “Xhebrailat”.

Ballkani do të udhëtojë për përballjen e sotshme kundër Gjilanit, që nis në orën 17:00, dhe do të tentojë ta marrë fitoren, për t’i mbajtur gjallë shpresat për titull.

Ballkanit i shuhen shpresat për titull nëse merr rezultat tjetër përveç një fitoreje sot, përderisa lufta për dalje në Evropë, përmes renditjes në pozitën e dytë, do të varej nga rezultati i sotshëm dhe rezultati në xhirot e ardhshme.

Për ta motivuar skuadrën e tyre të zemrës para këtij dueli të rëndësishëm, “Xhebrailat” i befasuan me fishekzjarrë e këngë, përderisa edhe lojtarët dhe stafi i Ballkanit doli përballë tifozëve për t’i parë nga afër.

“Një  surprizë e bukur sot  nga Xhebrailat para derbit me SC Gjilanin. Ju lumtë Xhebraila , krenar me ju, ju jeni motivi ynë. Forca Suharekë. Na priftë e mbara”, shkroi faqja zyrtare e Ballkanit.

Ballkanin s’do ta ketë të lehtë të marrë fitoren që i duhet sot, pasi që e ka pasur një rekord negativ në ndeshjet si mysafir këtë sezon, si në ndeshjen e parë të sezonit kundër Gjilanit, kur pësoi disfatë me rezultat 1:0.

Megjithatë, djemtë e Ismet Munishit kishin shënuar fitore me rezultat 2:1 në ndeshjen kthyese dhe sot do të tentojnë ta përsërisin këtë fitore kundër një Gjilani që është në formë të mirë dhe vjen në këtë ndeshje pas fitoreve kundër Dritës, Prishtinës dhe Drenicës në tri xhirot e fundit.

(Kosova Sot Online )