Aubameyang shpërqendrohet duke u tallur me rivalin, Arsenali e pëson keq

  • S.A /
  • 22 July 2020 - 10:55
Aubameyang shpërqendrohet duke u tallur me rivalin, Arsenali e pëson keq

Kapiteni i Arsenalit, Pierre-Emerick Aubmeyang, është duke u kritikuar ashpër nga tifozët e klubit për shkak që e humbi përqendrimin në kornerin që çoi te disfata me rezultat 1:0 kundër Aston Villës të martën.

Aston Villa u ngrit nga fundi i tabelës, zona ku klubet bien nga Premierliga, falë golit në stilin ‘vollej’ të shënuar nga Trezeguet, që mbeti goli i vetëm i ndeshjes.

Egjiptiani kishte mjaftueshëm hapësirë për ta bërë goditjen, pasi që Aubameyangu ishte shpërqendruar nga loja nga lojtari tjetër i Aston Villës, Tyrone Mings.

Mings shihet teksa i thotë diçka Aubameyangut, i cili qesh dhe shpërqendrohet nga ndeshja, duke e lejuar kështu Mings-in t’i shkëputet dhe ta asistojë golin e Trezeguet.

Disfata me rezultat 1:0 bën që Topçinjtë ta kenë të mundur ta përfundojnë në ligën vetëm në pozitën e tetë, nëntë apo dhjetë, që varet nga rezultati i ndeshjes së fundit të sezonit, që zhvillohet të dielën në Emirates kundër Watfordit.

Në vitin 1995, Arsenali kishte rënë në pozitën e 12-të në tabelë në një sezon kur trajneri George Graham ishte shkarkuar në mes të sezonit, pas gati nëntë vjetëve si trajner i klubit londinez.

Tani që i ka mbyllur të gjitha ndeshjet si mysafir për këtë sezon, Topçinjtë e kanë barazuar rekordin e tyre më të keq në ndeshjet si mysafir brenda një sezoni, duke i regjistruar vetëm katër fitore.

(Kosova Sot Online )