Veprimet e Neymarit që e zemëruan trajnerin kundërshtar

  • G.G /
  • 22 July 2020 - 14:48
Veprimet e Neymarit që e zemëruan trajnerin kundërshtar

Ylli i Paris Saint-Germainit, Neymar, shpeshherë është përshkruar si kundërshtar irritues shkaku i driblimeve dhe trikave të tij në fushën e lojës, që i lënë kundërshtarët e tij të zemëruar, si trajnerin e Celticut së fundi,

Trajneri i Celtic, Neil Lennon, e përshkroi Neymarin si lojtar bezdisës pas disfatës që skuadra e tij e pësoi në ndeshjen miqësore kundër Paris Saint-Germainit me rezultat 4:0 në Parc des Princes.

Kylian Mbappe e kaloi skuadrën vendase në epërsi qysh në minutën e parë të ndeshjes, me asiste të Neymarit, ndërsa vetë braziliani e dyfishoi epërsinë e Paris Saint-Germainit në minutën e 25-të.

Neymari luajti vetëm në pjesën e parë, megjithatë disa veprime të tij gjatë ndeshjes i lanë të zemëruar lojtarët e Celticut. Në videon e mëposhtme shihet se si Neymari e goditi Nir Bittonin e Celticut, i vendosi duart mbi veshë pasi shënoi dhe madje u kap edhe me stolin e klubit britanik.

Lennon tha se skuadra e tij do të përfitojë nga përvoja e të luajturit kundër një rivali të nivelit kaq të lartë dhe ai i lavdëroi lojtarët e tij për mënyrën me të cilën u ballafaquan me brazilianin Neymar.

“Ai thjesht tentonte t’i zemërojë e përulë lojtarët. Unë u thashë lojtarëve që ata duhet të tentojnë ta mbajnë disiplinën dhe të mos bien në kurthin e tij. Ai është bezdisës, po e di këtë edhe vetë”, ka thënë Lennon. 

 

(Kosova Sot Online)