Ylli i NBA e pranon se kishte gënjyer pas ndërprerjes së sezonit

  • E.K /
  • 22 July 2020 - 15:23
 Ylli i NBA e pranon se kishte gënjyer pas ndërprerjes së sezonit

Ylli i NBA dhe Milwaukee Bucks, Giannis Antetokounmpo, e ka pranuar se kishte gënjyer kur kishte thënë se nuk ka kosh për të ushtruar basketboll gjatë karantinës, pas ndërprerjes së sezonit dhe stërvitjeve në NBA.

Në prill, kur sezoni i NBA ishte pezulluar shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë dhe lojtarët ishin vetëizoluar nëpër shtëpitë e tyre, Giannis Antetokounmpo kishte thënë se ai nuk po ka mundësi të stërvitet ashtu siç duhet.

“Unë nuk kam qasje në kosh. Shumë prej lojtarëve të NBA kanë fusha në shtëpitë e tyre, ndërsa unë vetëm mund të bëj stërvitje në kushte shtëpie, por s’mund të luaj basketboll”, kishte thënë Giannis.

Megjithatë, tani vetë greku e ka zbuluar se ai kishte tentuar thjesht t’i mashtrojë kundërshtarët e tij.

Antetokoumpo e zbuloi gënjeshtrën e vet të martën, përderisa po bisedonte me gazetarë në NBA Bubble në kompleksin Walt Disney World në Orlando, ku po qëndrojnë të gjithë lojtarët dhe stafet e klubeve deri në fund të sezonit.

“Ata që menduan se unë nuk kam qasje në një fitness me të gjitha pajisjet, nuk më njeh mua aspak. Kështu që unë thjesht e thash atë në tentim për të dalë pak përpara konkurrencës”, ka thënë Antetokounmpo.

Ylli i Bucks ka mesatare prej 29.6 pikësh dhe 13.7 kërcimesh për ndeshje gjatë këtij sezoni në NBA, përderisa skuadra e tij e mban rekordin më të mirë në ligë me 53 fitore dhe 12 humbje.

(Kosova Sot Online)