Klopp: E pamundur t’i dua lojtarët e mi më shumë

  • E.K /
  • 22 July 2020 - 15:43
 Klopp: E pamundur t’i dua lojtarët e mi më shumë

Përderisa Liverpooli po përgatitet për ta marrë trofeun e Premierligës të mërkurën, Jurgen Klopp ka insistuar se skuadra e tij, të cilën e ka bërë të qartë se sa shumë e do, duhet ta shijojë sa më shumë momentin kur ngrihet trofeu i kampionit të Anglisë.

Kampioni i ri i Premierligës, Liverpooli, do ta ngre trofeun pas ndeshjes të së mërkurës kundër Chelseat në Anfield, pasi e kishte siguruar matematikisht titullin, të parin në 30 vjet, shtatë xhiro para fundit.

Klopp, i cili i ka fituar titujt e Ligës së Kampionëve, Kupës së Botës për Klube dhe Superkupës së Evropës me Liverpoolin, dëshiron që lojtarët e tij ta kuptojnë se çfarë rëndësie të madhe ka trofeu që do ta ngrenë lart sot.

“Kur ndeshja të përfundojë, ne do të njihemi si kampionët e rinj të Anglisë. Ta arrijmë këtë për herë të parë që nga viti 1990 është një gjë e mrekullueshme për klubin”, ka thënë Klopp.

“Unë e di se ne jetojmë në një botë ku vazhdimisht shtrohet pyetja: “Po tani, çfarë?” dhe kjo bën që ne të mos e shijojmë aq sa duhet momentin”.

“Sapo u shpallëm ne kampionë – kur kundërshtari ynë i sotshëm, Chelsea, e mposhti Manchester Cityn – dhe po ngriheshin pyetje për trashëgiminë tonë dhe thuhej se ne duhet të fitojmë më shumë”.

“Është shumë e rëndësishme të shijohen momentet kur ato vijnë dhe ky moment do të jetë njëri prej këtyre rasteve”.

“Është e pamundur ta dua këtë grup të lojtarëve më shumë. Nuk do të mund t’i vlerësoja ata më shumë sesa që i vlerësoj, nuk do të mund të isha më krenar sesa që jam”.

(Kosova Sot Online)