Man United buzë kualifikimit në Ligën e Kampionëve, pavarësisht barazimit me West Hamin

  • E.K /
  • 22 July 2020 - 21:44
 Man United buzë kualifikimit në Ligën e Kampionëve, pavarësisht barazimit me West Hamin

Manchester Unitedi është ndalur nga West Hami me një barazim 1:1 të mërkurën, por mbetet në pozitë ideale për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Talenti premtues Mason Greenwood e shpëtoi Unitedin nga humbja në Old Trafford me golin e tij në pjesën e dytë, pasi West Hami po fitonte pas golit të Michail Antonios nga penalltia.

Me këtë pikë, Unitedi ngrihet në pozitën e tretë në Premierligë, me pikë të barabarta me Chelsean, i cili e ka një ndeshje më pak të zhvilluar, megjithatë.

Por Chelsea do të takohet me kampionin Liverpool sonte më vonë.

Ndërkohë, Leicester City ngel në pozitën e pestë me vetëm një pikë më pak se United, me të cilin takohet në ditën e fundit të sezonit.

Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer mund ta arrijë kualifikimin edhe me barazim kundër Leicesterit pas katër ditëve.

Ndërkohë, West Hami i David Moyes e siguroi edhe matematikisht qëndrimin në Premierligë edhe për sezonin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online)