Klopp, pas ngritjes së trofeut: Liverpooli s’do të ndalet

  • S.A /
  • 23 July 2020 - 08:40
Klopp, pas ngritjes së trofeut: Liverpooli s’do të ndalet

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, i paralajmëroi të gjithë kundërshtarët në Premierligë se skuadra e tij nuk do të ndalet as pas triumfit në ligë, që ia përfundoi klubit ecurinë prej 30 vjetëve pa titull të ligës.

“Reds” e ngritën trofeun e Premierligës të mërkurën pas fitores me rezultat 5:3 kundër Chelseat në ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, ku megjithatë nuk u lejuan tifozët në tribuna shkaku i koronavirusit.

Megjithatë, lojtarët dhe stafi e patën mundësinë t’i ftonin familjet e tyre të jenë të pranishme për këtë festë, përderisa ceremonia u zhvillua në një skenë të ndërtuar në tribunën e famshme “Kop End” të stadiumit.

Liverpooli nuk e kishte fituar asnjëherë më parë në histori trofeun e Premierligës, pasi triumfi i tyre i fundit ishte 30 vjet më parë nën Kenny Dalglish kur liga elitare ishte Divizioni i Parë. Dalglish ishte i përfshirë dje në festë.

“Ne nuk do të ndalemi. Ne nuk do të ndalemi. Ne kemi sfida përpara, sfida të brendshme. Natyrisht që mund të përmirësohemi, i kemi lojtarët për këtë. Naby Keita luajti pothuajse vetëm gjatë pjesës së fundit të sezonit. Ne e kemi mundësinë ta bëjmë një hap tjetër”, ka thënë Klopp.

“Duhet ta bëjmë edhe një hap, pasi që të tjerët nuk do të flenë. Nuk kemi garanci për asgjë, përveç se ne do të tentojmë sërish”.

(Kosova Sot Online )