Modric lavdëron Ramosin: Është mbrojtësi më i mirë në botë

  • G.G /
  • 23 July 2020 - 11:15
Modric lavdëron Ramosin: Është mbrojtësi më i mirë në botë

Mesfushori i Real Madridit, Luka Modric, e ka përshkruar Sergio Ramosin si “fenomenal” dhe ka thënë se kapiteni i Real Madridit është mbrojtësi më mirë në botë.

Sergio Ramosi i ndihmoi Real Madridit ta fitojë titullin e La Ligës këtë sezon, të pestin për të në Santiago Bernabeu, me 11 golat e tij të shënuara – rekord i ri për një mbrojtës në shekullin e 21-të.

34-vjeçari i ka fituar 22 trofe me Los Blancos që kur është transferuar atje nga Sevilla në vitin 2005 dhe mbetet pjesë kyçe e planeve të Zinedine Zidane, përderisa shumë persona kërkonin që ai të jetë në garë për Topin e Artë këtë vit, para se organizatorët ta anulonin çmimin.

Modric, i cili është bërë shok i mirë me Ramosin që nga ardhja e tij në kryeqytetin spanjoll në vitin 2012, thotë se askush nuk mund ta dyshojë cilësinë e bashkëlojtarit të tij.

“Vëllai im Sergio është fenomenal. Nuk po e them këtë vetëm pse e kemi ndërtuar një shoqëri të veçantë në këto tetë vjet, pasi që shkojmë në pushime bashkë si familje, apo vetëm pse kemi pasur përvoja dhe suksese fantastike së bashku”, ka thënë Modric.

“Ramosi është një yll 34-vjeçar, një garues i nivelit më të lartë dhe kur e shikon atë duke punuar me veten, është e qartë se sa i përkushtuar është ai dhe sa i uritur është për suksese. Ai është një lider i skuadrës dhe mbrojtësi më i mirë në botë.

(Kosova Sot Online)