Barcelona ia tregon derën Umtitit, francezi synon Serinë A

  • E.K /
  • 23 July 2020 - 12:22
Barcelona ia tregon derën Umtitit, francezi synon Serinë A

Qendërmbrojtësi francez Samuel Umtiti, i cili është përballur me lëndime të shumta në dy vjetët e fundit, nuk është pjesë e projektit afatgjatë të Barcelonës. Sipas gazetës spanjolle Sport, Umtiti është në dijeni për këtë situatë dhe synon kalimin në Itali.

Barcelona pritet të jetë aktive gjatë afatit kalimtar të verës për rindërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Por, për t’i përballuar transferimet e lojtarëve të rinj, Barcelona do të duhet fillimisht të shesë lojtarë.

Sipas Sport, lojtari i parë që pritet të largohet nga klubi katalonas është qendërmbrojtësi Samuel Umtiti. Francezi kishte shkëlqyer në fillim të karrierës së tij në Barcelonë, pas transferimit nga Lyoni, dhe kishte zënë vend përkrah Gerard Piques në qendër të mbrojtjes.

Megjithatë, lëndimet e shpeshta kanë ndikuar që niveli i paraqitjeve të Umtitit të bjerë. Përderisa në fillim të karrierës në Camp Nou ai kishte ngjallur interesim të shumë klube evropiane, paraqitjet e tij të fundit, shkaku i lëndimeve dhe mungesës së vetëbesimit, kanë bërë që ai të mos duket më i njëjti lojtar.

Tashmë raportohet se ai është i vetëdijshëm se nuk është pjesë e planeve afatgjate të Barcelonës dhe klubi dëshiron ta shesë atë qysh gjatë këtij afati kalimtar të verës.

Sport raporton se Italia është vendi që po ngjall më së shumti interesim për lojtarin, pasi që Umtiti beson se aty mund ta shfaqë veten më së miri, shkaku i atributeve të tij.

Po e njëjta gazetë spanjolle raporton se Barcelona do t’i japë më shumë rëndësi Clement Lenglet, ndërsa Araujo do të promovohet në ekipin e parë dhe do të tentohet të sigurohet transferimi i Eric Garcias. 

(Kosova Sot Online)