Van Dijk: Askush s’mund të thotë asgjë, i lamë të gjithë larg

  • E.K /
  • 23 July 2020 - 15:02
Van Dijk: Askush s’mund të thotë asgjë, i lamë të gjithë larg

Qendërmbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ua ka theksuar të gjitha atyre që po e përulin triumfin e Reds në Premierligë se skuadra e Jurgen Kloppit i la larg vetes të gjithë kundërshtarët në ligën elitare të futbollit në Angli.

“Reds” e ngritën trofeun e Premierligës të mërkurën pas fitores me rezultat 5:3 kundër Chelseat në ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, ku megjithatë nuk u lejuan tifozët në tribuna shkaku i koronavirusit.

Megjithatë, lojtarët dhe stafi e patën mundësinë t’i ftonin familjet e tyre të jenë të pranishme për këtë festë, përderisa ceremonia u zhvillua në një skenë të ndërtuar në tribunën e famshme “Kop End” të stadiumit.

Liverpooli nuk e kishte fituar asnjëherë më parë në histori trofeun e Premierligës, pasi triumfi i tyre i fundit në Angli ishte 30 vjet më parë nën Kenny Dalglish kur liga elitare ishte Divizioni i Parë. E Van Dijku beson se arritja e Liverpoolit nuk duhet të nënvlerësohet shkaku i pikëve të humbura në xhirot e fundit.

“Ne jemi të gjithë njerëz, kemi të gjithë emocione dhe ndjenja. Ne e dinim kur rinisi sezoni se na duhen edhe gjashtë pikë për t’u bërë kampionë. Natyrisht që kjo të qëndron në mendje, të pëlqeu apo s’të pëlqeu”, tha Van Dijk.

“Ne i kishim disa ndeshje kur mundëm të luajmë më mirë, por nuk duhet të përqendrohemi në këto gjëra. Ne e kemi pasur një sezon të jashtëzakonshëm, kemi humbur vetëm dy herë. Askush s’mund të thotë asgjë për sezonin tonë, jemi kampionë me meritë”.

“E fituam ligën shtatë xhiro para fundit, kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Të gjithë mund të kenë mendimet e veta, por ne i lamë larg të gjithë. E merituam dhe sezonin tjetër do të tentojmë ta mbrojmë titullin”. 

(Kosova Sot Online)