Joshua kritikon Furyn: Çfarë keni parë të frikshme te ai? Shtirjet?

  • S.A /
  • 24 July 2020 - 09:29
Joshua kritikon Furyn: Çfarë keni parë të frikshme te ai? Shtirjet?

Anthony Joshua s’po i frikësohet meçit kundër Tyson Furyt, që pritet të zhvillohet në vitin 2021, pasi që thotë se bashkëkombësi i tij nuk është i frikshëm dhe se njerëzit e vlerësojnë atë vetëm për lëvizjet e tij mashtruese.

Anthony Joshua dhe Tyson Fury synojnë të bëhen kampionë të unifikuar të peshave të rënda në boks vitin e ardhshëm, kur janë marrë ta zhvillojnë një meç mes vete.

Para se Joshua të  mundë të takohet me Tyson Furyn në atë meç, ai është i detyruar të përballet me Pulev për ta mbrojtur titullin e IBF, ndërsa Fury duhet të përballet me Deontay Wilderin për titullin e WBC.

Por, përkundër që ka kohë deri në meçin Joshua – Fury, ai po komentohet qysh tani. Së fundi, Joshua e kritikoi karrierën e kundërshtarit të tij të ardhshëm për numrin e meçeve të vështira që ai i ka luftuar.

“Çfarë keni parë ju nga Fury? Dy apo tri lëvizje mashtruese? Ka lëvizur nëpër ring? Çfarë keni parë që e bën atë aq të frikshëm? Shpejtësi?”, tha Joshua në intervistën e dhënë për Sky.

“Nëse sportit tonë i mungon kaq shumë talenti që të mjaftojnë disa lëvizje dhe shtirje për t’u konsideruar më i mirë i gjeneratës… Me punë, motivim dhe studim mund ta kalosh këtë”.

“Kështu që, çfarë kanë parë njerëzit te Fury që e bën atë aq të frikshëm dhe intimidues, që s’mund të prekët nga askush? Natyrisht unë e cilësoj atë si një sfidues serioz, por atij iu desh kohë e gjatë për t’u rritur”.

“Meçi i tij kundër Wladimir Klitschkos ishte sfida e parë e vërtetë për të dhe ai e kaloi atë, por iu deshën tetë vjet për ta ndërtuar përvojën dhe vetëbesimin e duhur. Pastaj ai pushoi dy vjet dhe më vonë u ndesh me Wilderin”.

“Ai nuk ka qenë në këtë pus për një kohë mjaftueshëm të gjatë për të dëshmuar se ai mund të notojë aty për një kohë të gjatë. Ti duhet ta dëshmosh vazhdimisht që përket këtu. Nuk mund të dalësh vetëm një apo dy herë. Për mua si boksier, ashtu duhet të ma fitosh respektin”.

(Kosova Sot Online )