FIFA shkruan për futbollisten që e la Kosovën shkaku i luftës: Velaj është ndryshe

  • S.A /
  • 24 July 2020 - 10:01
FIFA shkruan për futbollisten që e la Kosovën shkaku i luftës: Velaj është ndryshe

FIFA e ka publikuar një artikull të veçantë për futbollisten nga Kosovë, Furtuna Velaj, e cila ishte shpërngulur në SHBA në moshën shtatëvjeçare shkaku i luftës me Serbinë e tani luan për ekipin kombëtar të Shqipërisë.

Raportet e ndeshjeve dinë të jenë shpeshherë përplot klishe dhe pothuajse çdo ndeshje përshkruhet si betejë ose luftë. Për fat të mirë të shumë futbollistëve, betejat metaforike janë të vetmet që do t’i përjetojnë në jetë, shkruan FIFA.

Furtuna Velaj është ndryshe. Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë e detyroi atë dhe familjen e saj të shpërngulet nga vendlindja në moshën vetëm shtatëvjeçare dhe të shkojë në SHBA.

“Unë isha shumë e vogël kur ndodhi lufta mes Kosovës dhe Serbisë dhe ne u shpërngulëm në SHBA. SHBA-ja na ka mirëpritur mua dhe familjen time dhe ne e kemi krijuar një shtëpi këtu”, sqaron Velaj.

“Ne jemi shumë krenarë për kulturën dhe prejardhjen tonë dhe për gjuhën tonë. Prindërit e mi gjithmonë donin të siguroheshin se ne kurrë s’do ta harronim se prej nga vijmë. Unë isha e vogël, por e mbaj mend ku u rrita. Thosha: “Po, por SHBA-ja është shtëpia ime sepse familja ime është këtu dhe këtu jam rritur””.

“Por, në të njëjtën kohë, unë jam nga Kosova – kjo është kultura dhe prejardhja ime. Të jem e sinqertë, jam me fat që familja ime u shpërngul këtu. Nëse do të isha rritur në Kosovë, nuk e di nëse do të kisha luajtur futboll”.

30-vjeçarja e di se çfarë mundësi të pakufi ia ka dhënë dhe do të vazhdojë t’ia japë asaj SHBA-ja. Falë futbollit, ajo ka pasur mundësi të shkollohet dhe pastaj ta vazhdoj jetën në shumë vende të ndryshme.

E lindur në Deçan, Vekah tabu është qytetase e botë dhe mund ta ndajë njohurinë dhe përvojën e saj me bashkëlojtaret e saj në ekipin kombëtar të Shqipërisë. Ajo e fitoi ndeshjen e parë me Shqipërinë në vitin 2011 dhe u ka ndihmuar atyre të kalojnë dy herë radhazi në rundet kualifikuese për Kupën e Botës të vajzave, në vitet 2015 dhe 2019.

“Shumica e bashkëlojtareve të mia në ekipin kombëtar të Shqipërisë janë nga Kosova, edhe pse ne të gjithë kemi rrënjë shqiptare. Unë mendoja se mentaliteti i tyre ishte i ndryshëm. Ato nuk janë aq agresive dhe nuk marrin aq shumë iniciativa”, shtoi Velaj.

Megjithatë, ajo është e vetëdijshme se nuk varet gjithçka nga të pasurit një mendësi amerikane.

“Shqipëria është një vend i vogël dhe një shembull i përsosur. Nuk është ekonomikisht aq e fuqishme sa Norvegjia, por sipas mendimit tim vendet skandinave janë shembujt e përsosur për një vend si Shqipëria. Nëse i shikoni ekipet e djemve – shikoni për shembull çfarë bëri Islanda”.

“Një vend prej 300 mijë banorëve u kualifikua në turnetë e mëdha. Ne jemi një vend me pak më shumë se dy milionë banorë dhe me të gjithë lojtarët që luajnë jashtë. Thjesht duhet ta kesh edhe mendësinë”.

Velaj e filloi karrierën e saj në Connecticut FC, pastaj vazhdoi me karrierën në Islandë me UMF Afturelding, në Kanada me Toronto Lady Lynx, në Finlandë me PK 35 Vantaa, në Norvegji me Kolbotn IL dhe në Gjermani me SC Sand.

(Kosova Sot Online )