Silva, gati t’i thotë lamtumirë Cityt: Do ta mbaj mend dashurinë e tifozëve

  • G.G /
  • 24 July 2020 - 13:38
Silva, gati t’i thotë lamtumirë Cityt: Do ta mbaj mend dashurinë e tifozëve

Mesfushori spanjoll i Manchester Cityt, David Silva, po bëhet gati t’i thotë lamtumirë klubit anglez, ndërsa ka shtuar se do t’i mbetet gjithmonë në mendje dashuria që i është dhënë nga tifozët.

34-vjeçari do të largohet nga Manchester City në fund të këtij sezoni, një dekadë pasi iu bashkua “Citizens” pas transferimit nga Valencia. Pas 433 ndeshjeve të zhvilluara, 77 golave, katër titujve të Premierligë dhe momenteve të panumërta brilance, largimi i Silvas pritet të jetë emocional.

Duke reflektuar për kohën e tij në Etihad, Silva tha: “Për mua, ka qenë e përsosur. Kur erdha, nuk mendoja se do të qëndroja këtu për kaq kohë të gjatë. Përveç futbollit, trofeve, do ta mbaj mend dashurinë e njerëzve, që është gjëja më e rëndësishme”.

“Transferimi në Manchester City ishte njëri ndër vendimet më të mira që i kam marrë në karrierë sepse e kam shijuar me të vërtetë kohën time këtu. Edhe unë e edhe familja ime jemi kënaqur shumë”.

“Në fund të fundit, është e vështirë ta gjesh një vend që s’është i yti, por që të trajtojnë ashtu siç më kanë trajtuar mua. Unë kam qenë me të vërtetë me shumë fat që e kam provuar këtë”.

“Kam tentuar ta jap më të mirën nga vetja. Kam statistika të mira, por është e rëndësishme se çfarë lidhje kishe me skuadrën. Falë Zotit unë e pata atë lidhje, pasi që, nëse nuk do ta kisha pasur, s’do të kisha qenë këtu për dhjetë vjet”.

“Nuk është e lehtë të jesh këtu për dhjetë vjet. Mua më bën kjo shumë krenar. Të jesh në një vend tjetër, në një ligë tejet konkurruese dhe të jesh lojtari që ka luajtur më së shumti ndeshje… kjo më bën krenar”.

Largimi i Silvas do ta nisë periudhën e përfundimit të një epoke historike në Etihad Stadium. Ai dhe Sergio Aguero janë të vetmit lojtarë që kanë mbetur ende nga skuadra që e fitoi titullin e Premierligës në sezonin 2011/12, të parin në epokën moderne për klubin. 

(Kosova Sot Online)