Revolucion te Barcelona, 12 futbollistë pritet të largohen

  • A.P /
  • 24 July 2020 - 19:25
Revolucion te Barcelona, 12 futbollistë pritet të largohen

Barcelona po përgatitet për një revolucion të vërtetë gjatë merkatos së kësaj vjeshte, pas presidenti Josip Bartomeu ka ndërmend të afrojë futbollistë të një kalibri të lartë, për të përmirësuar skuadrën, por edhe për të ndikuar zgjedhjet presidenciale.

Neymar, Lautaro Martinez e të tjerë emra të bujshëm janë në krye të listës së përforcimeve të katalanëve për sezonin e ardhshëm, por para se të investohet për afrimin e tyre, duhet të sigurohet paratë dhe për këtë drejtuesit e klubit e kanë një plan të qartë.

Kështu plot 12 futbollistë të skuadrës aktuale janë në listën e atyre që do të sakrifikohen këtë verë për të siguruar para kesh për investime, por edhe për të ulur disi shifrën e lartë që katalanët shpenzojnë për pagat e ekipit.

Philippe Coutinho dhe Ousmane Dembele janë dy nga emrat për të cilët katalanët kanë shpenzuar më shumë se 250 milionë euro për t’i marrë, por që kanë zhgënjyer me performancën e tyre dhe duhet të largohen nga “Camp Nou” në fund të verës.

Emra të tjerë që nuk bëjnë më pjesë në planet e klubit janë Ivan Rakitic, Arturi Vidal, Nelson Semedo, Neto, Junior Firpo, Samuel Umtiti dhe Marthin Braithwaite, përveç lojtarëve si Rafinha, Jan-Clair Todibo dhe Carlos Alena, të cilët pritet të kthehen nga huazimi.

Synimi i drejtuesve të Barcelonës është që disa prej këtyre emrave t’i përfshijnë në marrëveshje shkëmbimi me futbollistët që kanë në plan të afrojnë, ndërsa të tjerët t’i shesin për të rregulluar bilancet.

Vlera e të 12 futbollistëve që pritet të lënë Katalunjën në fund të verës, përllogaritet më tepër se 400 milionë euro, para këto të mjaftueshme që drejtuesit e Barcelonës të sponsorizojnë afrimin e të paktën 4-5 futbollistëve me peshë, çka do të rikthente edhe njëherë entuziazmin e njerëzve në “Camp Nou”.


(Kosova Sot Online)