Conte: “Eriksen duhet të vazhdojë të punojë, rezultatet do të vinë”

  • E.K /
  • 25 July 2020 - 12:05
Conte: “Eriksen duhet të vazhdojë të punojë, rezultatet do të vinë”

Cristian Eriksen ishte blerja e bujshme e Interit në muajin janar, por që në ditët e para në aventurën zikaltër, vuajti jo pak për të gjetur hapësira në formacionin e Contes, aq sa detyroi teknikun të ndryshojë edhe skemë.

Megjithatë edhe kjo duket se nuk mjaftoi për fantazistin danez që gjatë javëve të fundit është nisur shumë shpesh nga pankina, por trajneri Antonio Conte, në prag të transfertës ndaj Genoas, e cilësoi Eriksen si mjaft të rëndësishëm për lojën e skuadrës.

“Nuk më pëlqen të flas për lojtarë të caktuar, por për skuadrën në përgjithësi, megjithatë ndaj Fiorentinës Eriksen bëri një ndeshje shumë të mirë, sidomos në pjesën e parë, pasi në të dytën ra pak fizikisht. Tani ai është futur në mekanizmat e skuadrës dhe po përpiqet të bëjë më të mirën, ndërsa ne po mundohemi ta vëmë në kushtet optimale për t’u shprehur sa më mirë. Kur nuk ka topin në këmbë është i lirë të lëvizë pas sulmuesve apo në krah, të sulmojë hapësirat dhe të marrë topin, pra mund të bëjë atë që do. Duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë serioze dhe konstante, ashtu siç po bën tani dhe rezultatet do të vinë patjetër”, deklaroi Conte.

Interi pagoi pak më tepër se 20 milionë euro për të marrë fantazistin danez nga Tottenham në muajin janar, duke përfituar nga fakti që kontrata e tij me londinezët skadonte në fund të këtij sezoni dhe Eriksen kishte refuzuar rinovimin.

(Kosova Sot Online)