FFK-ja i paralajmëron klubet: Po s’i respektuat masat, s’e lejojmë zhvillimin e ndeshjeve

  • A.P /
  • 26 July 2020 - 15:17
FFK-ja i paralajmëron klubet: Po s’i respektuat masat, s’e lejojmë zhvillimin e ndeshjeve

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i ka paralajmëruar klubet e Ipko Superligës në ditën e fundit të sezonit 2019/20 se nuk do ta lejojë zhvillimin e ndeshjeve në ato stadiume ku nuk respektohen masat për mbrojtje ndaj pandemisë Covid-19.

Në javët e fundit të këtij kampionati janë parë turma tifozësh nëpër stadiume dhe pranë tyre pa maska mbrojtëse, në kundërshtim me masat ligjore të ndërmarra nga qeveria e vendit për mbrojtje ndaj pandemisë.

Gjendja me koronavirus në vend është përkeqësuar javëve të fundit, me numrin e të prekurve me Covid-19 që po rritet vazhdimisht dhe deri tani janë infektuar gati 7.000 persona, me 169 të vdekur.

Sot në ditën e fundit të kampionatit, kur do të zhvillohen gjashtë duele në një luftë për Evropë dhe mbijetesë, organi qeverisës i futbollit kosovar i paralajmëron klubet për kujdes.

Në një njoftim të FFK-së shkruhet: “Qeveria ka shtrënguar masat për parandalimin e këtij virusi, me ç’rast janë ndërprerë edhe aktivitetet sportive, me përjashtim të garave në Ipko Superligë. Andaj, duke u dëshiruar suksese dhe përmbushje të objektivave, kërkojmë që klubet t’u përmbahen dhe të respektojnë në mënyrë strikte udhëzimet e parapara me protokollin e organizimit të ndeshjeve në kushtet e pandemisë të dhëna nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë.”

“Pra, të gjithë personat e pranishëm në ndeshje janë të obliguar të mbajnë maska dhe të mbajnë distancë, teksa në stadium nuk guxon assesi të ketë të pranishëm të tjerë përveç personave që janë të lejuar nga udhëzimi i lëshuar nga FFK pas rifillimit të kampionatit”, thuhet tutje në njoftim.

“Kudo që do të ketë shkelje të protokollit sanitar dhe prani të personave jokompetentë, zyrtarët e FFK-së do të reagojnë dhe nuk do të lejojnë zhvillimin e ndeshjes”, paralajmëron FFK-ja.

(Kosova Sot Online)