Ballkani e Prishtina do ta kërkojnë Evropën përmes Kupës

  • S.A /
  • 27 July 2020 - 16:24
Ballkani e Prishtina do ta kërkojnë Evropën përmes Kupës

Finalistët e Digitialb Kupës së Kosovës kanë arsye të forta për ta synuar këtë trofe të çmueshëm, mbi të gjitha pasi ai ua mundëson daljen në Evropë. Prishtinasit e kërkojnë pjesëmarrjen e katërt radhazi në Europa League, kurse therandasin debutimin absolut në garat evropiane

Ballkani dhe Prishtina e kanë vënë fokusin tek Digitalb Kupa e Kosovës për të dalë në Evropë>

Therandasit dhe Bardhekaltrit nuk bënë mjaftueshëm në IPKO Superligë për ta siguruar një vend që çon në garat evropiane.

Ekipi Portokalli përfundoi në pozitën e tretë, kurse kryeqytetasit në atë të katërt, duke mbetur prapa kampiones Drita, e cila shkon në Ligën e Kampionëve, dhe nënkampionit Gjilani, i cili e siguroi kualifikimin e parë dhe historik në Ligën e Evropës.

Tash, një vend i cili mbetet vakant për Europa League do ta kërkojnë ekipi i Ismet Munishit dhe ai i Armend Dallkut.

Këto dy skuadra do të përballen në mes vete të mërkurën në kryeqytet, në ndeshjen që do të fillojë në orën 17:45.

Përpos prestigjit që e ka ky eveniment i çmueshëm, të dyja ekipet do të kenë motiv shtesë për ta fituar trofeun e Kupës pasi njëkohësisht do t’ua siguronte edhe pjesëmarrjen në Europa League.

Për Prishtinën, kjo do të ishte hera e katërt rresht që merr pjesë në këtë garë, kurse për Ballkanin do të bëhej fjalë për një debutim absolut në garat evropiane.

Gjithashtu, edhe arkat e klubit fitues do të mbusheshin nga UEFA për pjesëmarrje në Europa League, apo edhe me një fitore eventuale në këtë turne në fazën parakualifikuese, e pse jo edhe në kualifikime.

(Kosova Sot Online )