Kroos, pika e dobët e Guardiolës

  • S.A /
  • 28 July 2020 - 11:34
Kroos, pika e dobët e Guardiolës

Paraqitja e parë mbresëlënëse e Toni Kroosit në Santiago Bernabeu nuk ishte me fanellën e Real Madridit.

Mesfushori gjerman, që atëherë mbante fanellën me numër 39, ishte ylli i ndeshjes për Bayern Munichun, që e eliminoi Real Madridin nga gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve në vitin 2012, shkruan Marca.

Vetëm rreth një vit më vonë, ai po luante nën drejtimin e Pep Guardiolës, i cili e zëvendësoi Jupp Heynckes-in në pozitën e trajnerit në Allianz Arena. Trajneri katalonas menjëherë u lidh me Kroosin, pasi që ata të dy e kuptonin futbollin në mënyrë të njëjtë.

Megjithatë, bashkëpunimi i tyre nuk zgjati më shumë sesa një sezon, pasi që Bayern Munichu vendosi të mos e dëgjojë Guardiolën dhe nuk i ofroi gjermanit kontratë të re, përderisa aktualja e tij përfundonte pas një viti.

Drejtori i klubit, Karl-Heinz Rummenigge nuk ishte i gatshëm t’i japë gjermanit rritje page, pasi që klubi nuk mendonte se ai e meritonte këtë shkaku i Mario Gotzes, i cili premtonte të bëhej yll i skuadrës.

Pasi Bayerni vendosi ta qesë në shitje Kroosin, ai thuhej se ishte shumë afër transferimit në Manchester United. Mirëpo, gjatë Kupës së Botës në Brazil, Kroos e mori një thirrje nga Real Madridi, që ishte i gatshëm t’i ofrojë 25 milionë euro për 24-vjeçarin.

Tani, gjashtë vjet më vonë, Kroos është bëri njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë dhe pjesë kyçe e sukseseve të Real Madridit dhe Guardiola do të kishte dashur shumë ta kishte atë me vete në Manchester City.

Tani, dyshja do të përballet sërish më 7 gusht, kur Manchester City do ta presë Real Madrid në Etihad Stadium për ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

(Kosova Sot Online )