Fernandes e mbron Lingardin nga kritikët

  • S.A /
  • 28 July 2020 - 12:17
Fernandes e mbron Lingardin nga kritikët

Mesfushori i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, beson se Jesse Lingard kritikohet padrejtësisht, ndërsa shtoi se ishte shumë i kënaqur që bashkëlojtari i dha fund ecurisë së ndeshjeve pa shënuar gol.

Djajve të Kuq u mjaftonte një barazim nga ndeshja në King Power Stadium kundër Leicester Cityt  për ta siguruar një vend në top katërshe të Premierligës, kualifikues për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Fernandes e kishte zhbllokuar rezultatin e ndeshjes me golin e tij nga penalltia kundër Leicesterit, para se Lingard të përfitonte nga një gabim i portierit Kasper Schmeichel për ta dërguar epërsinë në 2:0. Ai gol ishte i pari për anglezin në Premierligë që nga dhjetori i vitit 2018. Kjo ecuri e ndeshjeve pa gol kishte ngjallur kritika të shumta drejt 27-vjeçarit, mirëpo Fernandes beson se bashkëlojtari ua ka dëshmuar të kundërtën atyre kritikëve.

“Natyrisht, ai është edhe gabim nga portieri, por nëse Jesse nuk do të bënte presion aty, goli nuk do të ishte shënuar. Kështu që ne punojmë për këto gjëra”, ka thënë Fernandes për faqen zyrtare të klubit.

“Jesse e meritonte atë gol për shkak të punës që ai e bën çdo ditë dhe çdo javë, për shkak të komenteve që tjerët i bëjnë për të dhe për lojtarët e tjerë vetëm pse ata s’luajnë mjaftueshëm ose s’luajnë mjaftueshëm mirë”.

“Mendoj se kjo është arsyeja pse Jesse shënoi… sepse ne punojmë shumë dhe stërvitemi shumë për ta ndihmuar skuadrën”.

(Kosova Sot Online )