Prishtina do ta kërkojë trofeun e shtatë të Kupës dhe daljen e katërt në Evropë

  • G.G /
  • 28 korrik 2020 - 12:46
Prishtina do ta kërkojë trofeun e shtatë të Kupës dhe daljen e katërt në Evropë

Prishtinasit do të luajnë në finale për herë të dhjetë dhe besojnë se do të fitojnë për ta siguruar pjesëmarrjen në Europa League për edicionin e ardhshëm

FC Prishtina do ta zhvillojë nesër njërën prej ndeshjeve më të rëndësishme të këtij sezoni.

Bardhekaltrit do të përballen me Ballkanin në finale të Digitalb Kupës së Kosovës, ndeshje kjo që do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 17:45.

Prishtinasit përfunduan në pozitën e katërt në IPKO Superligë dhe mundësinë e vetme për të dalë në Evropë do ta kenë përmes Kupës.

Andaj, kryeqytetasit kanë nevojë për fitore ndaj ekipit therandas, për ta siguruar pjesëmarrjen e katërt rresht në Europa League.

Njëherësh, Prishtina do të luajë në finale të kësaj gare për herë të dhjetë dhe do ta kërkojë trofeun e shtatë të Digitalb Kupës.

Edhe pse kanë mungesa, Bardhekaltrit besojnë se mund ta fitojnë trofeun e çmueshëm. 

(Kosova Sot Online)