Alves – Messit: Për pak sa s’e theva këmbën, për faj tëndin

  • G.G /
  • 28 July 2020 - 16:03
Alves – Messit: Për pak sa s’e theva këmbën, për faj tëndin

Fitorja me rezultat 3:1 e Barcelonës kundër Manchester Unitedit në finale të Ligës së Kampionëve 2010/11 mbetet njëra ndër kujtimet më të bukura të Lionel Messit, siç bëri të ditur me postimin e tij të fundit në Instagram.

Argjentinasi e kishte shënuar golin që e kishte kaluar Barcelonën në epërsi me rezultat 2:1 në atë finale, përmes një goditjeje nga jashtë zona e portierit, me të cilën e kishte mposhtur Edwin van der Sarin.

Si pjesë e një reklame për kompaninë Lays, që është sponsore e Ligës së Kampionëve, Messi e kujtoi atë gol këtë javë.

“Njëra ndër kujtimet e mia të preferuara në Ligën e Kampionëve”, shkroi ai në Instagram.

“S’ka mbetur edhe shumë kohë deri në rinisje”.

Në këtë postim të Lionel Messit pati komente të shumta, por njëra ndër to ishte e Dani Alvesin, i cili e kujtoi se si e kishte goditur ai një mikrofon gjatë festimeve për atë gol.

“Unë pothuajse e theva këmbën me atë mikrofon të dreqit, për faj tëndin”, shkroi Alves, duke e përcjellë këtë koment me disa emotikone që simbolizojnë të qeshurën. 

(Kosova Sot Online)