Lingard: E humba veten, si lojtar dhe si person

  • S.A /
  • 29 July 2020 - 09:38
Lingard: E humba veten, si lojtar dhe si person

Mesfushori i Manchester Unitedit, Jesse Lingard, i ka zbuluar vështirësitë e tij personale gjatë sezonit 2019/20, duke thënë se ai e kishte humbur identitetin e vet – në fushë dhe jashtë saj.

27-vjeçari Jesse Lingard e shijoi një fund të mirë të sezoni të vështirë, pasi e shënoi golin e tij të parë në këtë sezon Premierligës në minutën e 98-të të ndeshjes së fundit të sezonit, kundër Leicesterit, për t’ia vulosur Manchester Unitedit kualifikimin në Ligën e Kampionëve

Lingard ka shënuar gola të fitores në FA Cup për Manchester Unitedin, ndërsa shënoi edhe për Anglinë gjatë Kupës së Botës 2018, megjithatë këtë sezon është përballur me vështirësi të shumta.

“Ky sezon ka qenë i vështirë për shumë arsye. Unë e humba veten, si person dhe si lojtar, por nuk desha të dorëzohem asnjëherë. E dija se kush jam në të vërtetë, në fushë dhe jashtë saj, dhe e dija se do të mund të arrij atje sërish, siç isha edhe më parë”, ka shkruar Lingard në Instagram.

“Kjo do të thotë se mua me desh të punoj më shumë sesa që kam punuar ndonjëherë në jetën time dhe t’u besoj atyre që i kam përreth se ata dinë si të më ndihmojnë për t’i arritur qëllimet e mia”.

“Unë e di se tifozët ka qenë të irrituar, por dashuria ime për klubin dhe për të gjithë ata që janë të lidhur me këtë klub nuk më ka lënë asnjëherë, përgjatë gjithë kësaj kohe”.

“Kjo skuadër, ky klub janë familja ime dhe unë do të vazhdoj të punoj më shumë sesa kurrë më parë për t’i ndihmuar ekipit t’i arrijë synimet”.

(Kosova Sot Online )