Bastoret parashikojnë fituesin e Kupës së Kosovës

  • S.A /
  • 29 July 2020 - 10:01
Bastoret parashikojnë fituesin e Kupës së Kosovës

Bastoret e ndryshme botërore e kanë parashikuar Prishtinën si fituese të Kupës së Kosovës në finalen kundër Ballkanit, ndërsa më së paku gjasa i kanë dhënë opsionit që koha e rregullt të përfundojë baras.

Finalja e Kupës së Kosovës do ta sjellë sonte në orën 17:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” duelin mes Prishtinës dhe Ballkanit, të cilat megjithatë po luftojnë për shumë më shumë sesa vetëm një trofe – e duan edhe daljen në Evropë.

Bastorja zyrtare e mediumit të madh britanike Sky Sports, Sky Bet, ka parashikuar se fituese do të jetë Prishtina, ndërsa barazimin e ka lënë si opsionin me më së paku gjasa të ndodhë. Edhe SofaScore në parashikimin e vet i ka dhënë më shumë gjasa Prishtinës ta fitojë këtë ndeshje, përkundër që vetëm me pak dallim nga Ballkanit, ndërsa barazimi ka mbetur si opsion i fundit.

Takimi i parë mes këtyre dy klubeve në këtë sezon u zhvillua më 7 tetor të vitit të kaluar, kur Ballkani triumfoi me epërsi minimale 1:0 kundër Prishtinës në Suharekë, në javën e nëntë të ligës, kur kishte filluar t’i befasojë tifozët e futbollit me formën dhe paraqitjet e mira.

Bardhekaltrit s’arritën të hakmerren për këtë disfatë as në ndeshjen kthyese, e cila u zhvillua më 29 shkurt dhe përfundim me barazim pa gola. Baras (2:2) përfundoi edhe dueli i tretë i sezonit mes këtyre dy skuadrave. Që u zhvillua vetëm para 11 ditësh.

E tani, 11 ditë më vonë, Prishtina do të tentojë ta mposhtë Ballkanin për herë të parë këtë sezon, në mënyrën që ta fitojë për herë të shtatë trofeun e Kupës në tentimin e dhjetë. Me këtë fitore, Prishtina do të garonte për herë të katërt radhazi në Evropë.

Për dallim nga Prishtina, Ballkani s’e ka përvojën e rivalit të vët dhjetë-herë finalist, mirëpo djemtë e Ismet Munishit janë të motivuar ta dëshmojnë veten në Kosovë dhe më vonë edhe në Evropë pas një sezoni mbresëlënës, kur megjithatë në fund e lëshuan titullin.

(Kosova Sot Online )