“Kishte gjak kudo” – Rrëfimet për kreun e Federatës që i dhunonte e përulte lojtaret

  • S.A /
  • 29 July 2020 - 11:06
“Kishte gjak kudo” – Rrëfimet për kreun e Federatës që i dhunonte e përulte lojtaret

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi më 14 korrik ta hedhë poshtë apelimin e ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Afganistanit, Keramuddin Karim, për pezullim të përjetshëm nga futbollit për abuzim seksual të futbollisteve. Pas reagimit të FIFPro, akuzat ndaj Karim janë bërë sërish virale. E gjitha kjo akuzë nisi nga rrëfimi i pesë futbollistëve për The Guardian, ndërsa artikullin e plotë në shqip mund ta lexoni në vijim.

Lojtaret, të cilat thonë se po flasin në kushte anonimiteti për shkak të frikës që kanë për sigurinë e familjeve të tyre, pretendojnë se janë kërcënuar me vrasje të tyre dhe familjeve të tyre nga Karimi, i cili akuzohet se i ka abuzuar fizikisht dhe seksualisht, shkruan The Guardian.

Njëra thotë se Karimi ia kishte vendosur një armë në kokë pasi e kishte goditur në fytyrë dhe e kishte dhunuar në një dhomë sekrete, të fshehur prapa një dere në zyrën e tij. Pas kësaj, ai e kishte kërcënuar se do ta vriste atë dhe familjen e saj nëse fliste në media për këtë ngjarje.

Një tjetër pretendon se Karimi e kërcënoi, para bashkëlojtareve gjatë një seance stërvitore, se do t’ia priste gjuhën pasi që ajo kishte rrëfyer se kishte qenë viktimë e abuzimit seksual, dhe pastaj kishte tentuar ta zhvishte në një rast tjetër.

Një lojtare e tretë pretendon se Karimi tentoi ta puthë atë në qafë dhe buzë, por pasi që ajo arriti të ikë nga dhoma, Karimi e largoi nga ekipi kombëtar dhe shpërndau fjalë se ajo ishte lesbike. Akuzë të njëjtë me këtë ka bërë edhe një lojtare tjetër.

Pasi filluan hetimet, Karimi dhe katër anëtarë të tjerë të Federatës së Futbollit të Afganistanit u pezulluan nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe para dy javësh, FIFA e suspendoi Karimin për 90 ditë, dhe varësisht nga gjetjet e hetimit, dënimi i tij do të ndryshohet.

Karimi nuk ka pranuar t’i komentojë asnjëherë akuzat e bëra ndaj tij, përkundër që është kontaktuar disa herë nga ekipi i gazetarëve të The Guardian, që fillimisht i ka publikuar akuzat ndaj tij.

Një lojtare thotë se ajo ishte sulmuar një ditë pasi kishte përfunduar seanca stërvitore, kur kishte shkuar në zyrën e Karimit për t’i kërkuar para për mbulimin e shpenzimeve te transportit. “Unë kërkova për ndihmë. Ai filloi të më afrohej. Më tha: ‘Dua të jem më afër teje, dua ta shoh trupin tënd’”.

“Tentova ta injoroj, isha shumë e sjellshme me të. I thashë: ‘Dëgjo, unë kam nevojë për transport, nuk kam para. A mund të më ndihmosh? Nëse jo, atëherë më lejo të shkoj’. Ai më tha se do të më ndihmonte dhe më tha të prisja. I thashë se doja të shkoja në shtëpi. Ai më tha: ‘Mos u brengos, do të të jap para’”.

“Presidenti më udhëzoi ta ndiqja atë në dhomën tjetër. Kështu që shkova me të. Mendova se ai do të më ndihmonte. E ndoqa atë në dhomën tjetër. Ai hyri në një dhomë tjetër e pastaj edhe në një dhomë tjetër, ku gjithçka ishte shumë e errët. Brenda asaj dhome kishte një derë. Por, nuk mund ta shohësh derën pasi që duket si muri, është e vështirë ta kuptosh që është derë. Ajo ishte e hapur. Brenda ishte si një dhomë hoteli, një dhomë me gjithçka brenda dhe një banjë. Ai më tha të hyja brenda. Unë hyra, ai ishte prapa meje dhe e mbylli derën me çelës”.

“Ai më tha të ulem në shtrat. Isha e shqetësuar dhe po dridhesha. Ai më tha: ‘Sot, unë dua ta gjej se çfarë fshihet pas rrobave tua’. Unë po i thosha atij: ‘Më lini të qetë, dua të shkoj  në shtëpi’. U ngrita në këmbë dhe ai më tha: ‘Bërtit sa të duash, askush nuk do të të dëgjojë”.

“Pastaj ai filloi të më shtyjë drejt shtratit. U ngrita përsëri. I thashë: ‘Më lini të qetë, unë erdha vetëm të kërkoj mbështetje financiare, nuk e dua më, ju lutem më lini të qetë, më lini të shkoj’”.

“Ai po më thoshte se sot ishte dita kur ai do ta kuptonte se a isha lesbike apo jo sepse unë gjithmonë shoqërohesha me shumë vajza dhe dukesha pak si djalë”.

“U ngrita në këmbë dhe tentova ta luftoja, por ai më goditi në fytyrë. U rrëzova në shtrat. Tentova të ngrihem dhe të shkoja te dera por pasi që dera hapej vetëm me shenjat e gishtërinjve të tij, ishte e pamundur që unë të largohesha. Ai më goditi në fytyrë dhe në gojë. Po më dilte gjak nga buza dhe hundët. Filloi të më rrahë, u rrëzova në shtrat dhe gjithçka u errësua”.

“Kur u zgjova, isha plotësisht e zhveshur dhe gjaku ishte shpërndarë gjithkund. Po dridhesha, nuk e dija se çfarë më kishte ndodhur. Shtrati ishte i mbuluar me gjak, me gjak që po më dilte nga goja, hundët dhe vagjina. Shkova në banjë. E shpërlava fytyrën dhe u vesha. U ktheva dhe i thashë: ‘Do të shkoj kështu dhe do t’i tregoj medieve se çfarë më ndodhi”, përcjell Gazeta Express.

“Ai e mori një armë, armën e tij, e vendosi te koka ime dhe më tha: ‘A e sheh çfarë të kam bërë? Mund të gjuaj tani në kokë dhe truri yt do të shpërndahet gjithandej. Mund ta bëj të njëjtën gjë me familjen tënde. Nëse dëshiron që familja jote të mbetet gjallë, atëherë duhet të qëndrosh e heshtur”.

“Pastaj ai m’i gjuajti paratë në fytyrë dhe më tha t’i merrja ato dhe të zhdukesha. Ai tha se nuk dëshironte të ma shikonte fytyrën më. E hapi derën dhe unë u largova”.

Në pamundësi t’i tregonte familjes së saj se çfarë kishte ndodhur, ajo tha se ishte lënduar gjatë stërvitjes. “Nuk ndihesha mirë. E kuptova nga shoqet e skuadrës se presidenti kishte shpërndarë fjalë se unë isha lesbike dhe se më kishte zënë me një vajzë e për këtë arsye unë duhet të largohesha nga ekipi kombëtar. Kjo ishte shumë dëshpëruese për mua dhe shumë e rrezikshme”.

Vendimi i saj për të folur nuk është pa rreziqe. “E di se familja ime është në rrezik dhe e di se do të jenë edhe më shumë kur edhe gjëra të tjera të bëhen publike. Por, unë dua të ngrihem dhe të flas për të ardhmen e vajzave. Dua që vajzat ta kenë një ambient më të sigurt”.

Ajo thotë se sjellja e Karimit ishte shumë e njohur si brenda, ashtu edhe jashtë ekipit kombëtar. “Kjo gjë u bë e pranueshme në futbollin e grave, e kam fjalën për sjelljen e tij”.

Pse nuk iu raportua kjo gjë autoritete përgjegjëse? “Ai është shumë i fuqishëm në sistem dhe qeveri”, thotë ajo për Karimin, ish-kryetar i provincës së Panjshirit dhe ish-kryetarit të stafit të ministrit të mbrojtjes. Këto dy pozita ai i kishte mbajtur para se të bëhej president i Federatës së Futbollit të Afganistanit në vitin 2004. “Askush nuk mund të ngrihet kundër tij sepse ai është shumë i fuqishëm… Sot vajzat nuk mund ta ngrenë zërin sepse janë të frikësuara. Ato mund të vriten”.

Një lojtare e dytë se asaj i ishte kërkuar të shkonte në zyrë të Karimit nga një anëtar i Federatës. “Nuk ishte në dijeni për personalitetin e tij”, thotë ajo. Ajo pretendon se Karimi ishte ulur me të në divan. “Ai filloi të më fliste dhe të flirtonte me mua. Filloi të ma prekte trupin dhe tentoi të më puthte. Fillova të qaj, isha e frikësuar dhe më kapi paniku. Tentova të largoj atë nga vetja”.

Ajo thotë se kishte bërtitur, e kishte sulmuar Karimin dhe kishte arritur të arratisej. Ajo thotë se ishte fshehur për një muaj. “Ndihesha shumë e dobët dhe nuk mund ta ndaja atë ngjarjë me askënd. Në të njëjtën kohë, po merrja telefonata nga Federata dhe sidomos nga presidenti, i cili më bënte presion të kthehesha sepse po ia prishja atij reputacionin”.

Ajo u kthye, por përvoja e saj e hidhur nuk kishte marrë fund. “Presidenti vinte në stërvitje dhe para të gjithëve thoshte se unë jam e pasjellshme, se flisja shumë, dhe më kërcënonte drejtpërdrejt duke më thënë se do të ma priste gjuhën në mënyrë që të mos flisja. Ai më abuzonte dhe ngacmonte vazhdimisht”.

Ajo thotë se një ditë kishte shkuar më herët për stërvitje. “Unë isha e ulur në karriget aty, duke e pritur pjesën tjetër të skuadrës. Ai e pa që isha aty përmes kamerave të sigurisë. Ai filloi të më telefononte. I injorova telefonatat, kështu që ai erdhi te unë dhe më tha që të shkoja pas tij. U detyrova ta ndiqja, nuk mund të bëja asgjë tjetër. U desh që t’i kaloja katër dyer. Ai kishte shkuar para meje dhe po ma tregonte rrugën përmes telefonit”.

“Pasi i kalova ato katër dyer, isha në një dhomë. Ishte si ndonjë hotel me pesë yje, me pasqyra, mobilie moderne, shtrat, gjëra për gra, parfume dhe gjëra të tjera në komodina. Kur hyra aty dhe e pashë dhomën, mu kujtuan historitë që kisha dëgjuar. Isha e frikësuar dhe fillova të qaja, mendova se aty do të përfundonte jeta ime”.

“Presidenti ishte i zhveshur dhe ai ishte në shtrat duke më pritur. Kur unë fillova të qaja, ai  ngrit në këmbë, erdhi drejt meje dhe më mbajti. Tentoi të ma zhvishte shallin dhe fustanin. Unë po qaja, bërtisja dhe isha në vështirësi. Pata shumë fat. Atë e telefonoi dikush. Fillova të bërtisja, ai më shtyu dhe tentoi të më mbante të heshtur, por unë nuk ndalja duke bërtitur. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër përveç të ma hapte derën. Sapo e bëri këtë gjë, unë fillova të vrapoja”.

Një lojtare e tretë pretendon se ajo kishte shkuar në zyrën e Karimit për ta marrë nënshkrimin e tij dhe pastaj kishte filluar përvoja e saj e hidhur në Afganistan, transmeton Gazeta Express.

“Unë tentova ta shtyj atë dhe ai tentonte të më puthte në qafë dhe në buzë. Unë i thosha atij që të sillej më mirë dhe se ai e kishte moshën e gjyshit tim dhe e pyesja se si mund ta bënte një gjë të tillë. Ai më tha se nuk e kuptonte pse po sillesha çuditshëm me të dhe se jashtë kisha qenë shumë e shoqërueshme me të”.

“Unë i thashë se e kisha konsideruar vetëm si shok. Ai ishte shumë i shoqërueshëm dhe më tha se: ‘Shoqëria jonë do të përfundojë me seks’. Unë i thashë: ‘I urrej edhe vetëm t’i dëgjoj këto gjëra. Më lini të shkoj’. Tentova ta shtyj atë dhe u arratisa nga ajo dhomë”.

“Gjëja e parë që ai e bëri ishte të më largonte nga lista e lojtarëve të ekipit kombëtar për një udhëtim jashtë Afganistan, në një kamp stërvitor. Ai pastaj kishte filluar të më ofendonte para të gjithëve dhe më akuzonte se isha lesbike dhe më largoi nga Federata”.

Ajo pretendon se ka qenë dëshmitare për abuzimin verbal ndaj vajzës së dytë (rrëfyesja paraprake në tekst). “Ajo po qante, të gjithë e pamë këtë gjë, ai e ofendonte atë vazhdimisht”.

Përderisa hetimet dhe mbështetja publike nga zyrtarë të ndryshëm qeveritarë, përfshirë këtu edhe presidentin afgan, Ashraf Ghani, i ka dhënë pak shpresë, tre vajzat nuk besojnë se do të ndodhë ndonjë ndryshim i madh. “Nuk mund t’i besoj qeverisë”, thotë njëra. Një tjetër pretendon se Karimi ka shumë fuqi në qeveri. “Ai ka shumë ndikim dhe para. Ai mund t’i blejë njerëzit”. Ajo kërkon që FIFA dhe organizatat e huaja në Afganistan të ndërmarrin ndonjë veprim.

( Kosova Sot Online )