Vidal e inkurajon Jamesin të largohet nga Reali: Ai ka probleme me Zidanin

  • G.G /
  • 29 July 2020 - 13:25
Vidal e inkurajon Jamesin të largohet nga Reali: Ai ka probleme me Zidanin

Ylli i Barcelonës, Arturo Vidal, thotë se ish-bashkëlojtari i tij, tani në Real Madrid, James Rodriguez, ka probleme me trajnerin Zinedine Zidane dhe për këtë arsye e këshillon atë të largohet nga klubi madrilen këtë verë.

Pasi James mori vëmendjen e tifozëve të futbollit me rekordin si golashënuesi më i mirë në Kupën e Botës 2014 për Kolumbinë, Real Madridi i pagoi 75 milionë euro për ta sjellë atë në Santiago Bernabeu nga Monaco.

Që nga atëherë, 29-vjeçari i ka zhvilluar 125 paraqitje për Los Blancos dhe ka kontribuar në to me 37 gola. Megjithatë, këtë sezon, ai ka luajtur vetëm në 14 ndeshje gjithsej.

James u kthye në Madrid verën e kaluar pas një periudhë huazimi dyvjeçare në Bayern Munich. Ai synonte të zinte vend në formacionin e parë të Zidane, megjithatë nuk e arriti një gjë të tillë. Vetë Zidane la të kuptohet se ka probleme prapa skenave, kur tha se James vetë dëshironte të mbetej jashtë skuadrës për ndeshjen kundër Athletic Bilbaos më 5 korrik.

Kolumbiani e fitoi medaljen e artë të La Ligës në fund të sezonit, megjithatë ai pritet ta kërkojë largimin nga Santiago Bernabeu gjatë këtij afati kalimtar të verës. Ndërsa ylli i Barcelonës Vidal, i cili kishte luajtur bashkë me Jamesin në Bayern, thotë se e ka pasur të vështirë ta shikojë situatën e Jamesit në Bernabeu.

“James dhe unë jemi vëllezër, ne e krijuam një shoqëri të mrekullueshme në Bayern. Flasim gjatë gjithë kohës, e bëmë këtë edhe gjatë pushimeve”, ka thënë Vidal për Win Sports.

“Më bezdis fakti që ai ka probleme me trajnerin. James e ka cilësinë e nevojshme për të qenë titullar dhe nuk e di pse ata nuk po ia japin këtë mundësi këtë vit”.

“Shpresoj që ai do ta marrë vendimin më të mirë dhe të fillojë të luajë. Mendoj se njerëzit, tifozët e futbollit, dëshirojnë të shohin futbollistë cilësorë dhe James është i tillë. Ai duhet të rritet, ta kërkojë të ardhmen e tij dhe ta gjejë një vend për të luajtur dhe për ta shijuar futbollin”. 

(Kosova Sot Online)